Google ADS

9 vite në krye të NATO-s, kush është Jens Stoltenberg?

14:24 | 8 Korrik 2023
K.B

Jens Stoltenberg lindi më 16 Mars 1959. Si djali i një politikanit dhe dikur ministër i Jashtëm dhe i Brendshëm Thorvald Stoltenberg, 64 vjeçari ndoqi Universitetin e Oslos ku u diplomua në ekonomi.

Nga viti 1979 deri në vitin 1981 shkroi për një gazetë të përditshme. Por shpejt ai do të hiqte dorë nga gazetaria për t’iu përkushtuar politikës, duke shërbyer si sekretar i Partisë së Punës së Norvegjisë.

Në vitin 1989 ai u kthye për një kohë relativisht të shkurtër në Universitetin e Oslos si profesor në ekonomi. Gjatë kohës kur babai i tij shërbeu si ambasador në Beograd dhe jetoi aty për disa vite, Stoltenberg arriti të mësonte edhe gjuhën serbe.

Kur ishte adoleshent në vitet 1970, Stoltenberg ka pranuar se ka hedhur gurë në drejtim të Ambasadës Amerikane për të protestuar kundër Luftës së Vietnamit. Kur ka udhëhequr krahun rinor të Partisë Laburiste më 1985, ai fillimisht ka afirmuar qëndrimin se Norvegjia duhet të lërë NATO-n, por më vonë ka shtyrë grupin që të ndryshojë pozicionin. Më vonë, është bërë kryetar i Partisë Laburiste.

Si ekonomist me profesion, Stoltenberg ka shërbyer si ministër i Financave dhe Tregtisë më 1990. Ai mbrojti idenë që Norvegjia duhet të kursente pasurinë e saj të naftës në ditë të vështira dhe gjatë krizës globale financiare, ai përdori paratë e kursyera për të shpenzuar vendin nga kriza, duke ndihmuar ekonominë e vendit të shpëtojë relativisht e padëmtuar.

Në vitin 1995, ai i është bashkuar një proteste me biçikleta nga Osloja për në Paris, për të protestuar kundër testimit të armëve bërthamore nga Franca. Gjatë kohës kur ishte kryeministër i Norvegjisë, është maskuar si shofer taksie dhe pa u prezantuar fare, transferoi pasagjerët në destinacionin që ata kërkonin nëpër Oslo.

Video ishte i pjesë e fushatës së rizgjedhjes së Stoltenberg në krye të vendit dhe u filmua me kamera të fshehta. Kryeministri shprehej se përmes kësaj kamera të fshehtë dëshironte të dëgjonte pikëpamjet reale të qytetarëve për politikat në vend.

I pyetur nga një gazetar nëse ai do të konsideronte të bëhej shofer taksie nëse humbiste zgjedhjet parlamentare, Stoltenberg u përgjigj në atë kohë kështu: “Unë mendoj se kombit dhe qytetarëve norvegjezë do t’u shërbeja më mirë nëse unë jam kryeministër dhe jo shofer taksie”.

Stoltenberg ka shërbyer për më shumë se 20 vjet në Parlamentin e Norvegjisë dhe ka mbajtur postin e Kryeministrit nga viti 2005 deri më 2013.

Gjatë qeverisjes së tij, vendi skandinav kontribuoi me trupa në misionin ushtarak të NATO-s në Afganistan dhe në zonën e ndalim-fluturimit mbi Libi. Stoltenberg ka qenë po ashtu mbështetës i ruajtjes së marrëdhënieve të mira me Rusinë.

Ai negocioi një traktat me Moskën për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje 40-vjeçare për kufijtë detarë të dy fqinjëve. Marrëveshja, e nënshkruar në vitin 2010, lejonte eksplorime të reja të naftës dhe gazit në rajonin e Arktikut. Stoltenberg po ashtu thuhet se edhe ndërtoi miqësi personale me presidentin e atëhershëm të Rusisë, Dmitry Medvedev.

Ai është bërë i njohur në skenën ndërkombëtare pasi fanatiku i ekstremit të djathtë, Anders Behring Breivik, vrau 77 njerëz në një kamp të Partisë Laburiste, në Korrik të vitit 2011.

Në shërbimin përkujtimor për viktimat, Stoltenberg u zotua se do të luftonte autokracinë me “më shumë demokraci, me më shumë sinqeritet dhe me më shumë humanizëm”.

“Bombat dhe të shtënat kanë pasur qëllim të ndryshojnë Norvegjinë, por populli norvegjez është përgjigjur duke përqafuar vlerat tona. Autori ka dështuar, populli ka fituar”, tha ai.

Ai është norvegjezi i parë që ka zënë postin më të lartë të NATO-s.

Aftësia e Jens Stoltenberg për të krijuar konsensus dhe për të negociuar është përmendur shpesh si një cilësi që i duhet shefit të aleancës ushtarake. Zgjedhja në postin e Sekretarit të Përgjithshëm më 1 Tetor të vitit 2014 në krye të NATO-s u mirëprit edhe nga ish-shefi i NATO-S, Anders Fogh Rasmussen.

Stoltenberg e mori postin në një kohë të vështirë për shkak të aneksimit të Krimesë nga Rusia që kishte rritur tensionet midis Perëndimit dhe Moskës.

Një vit më vonë shefi i ri do të vizitonte Ukrainën. Diplomatët ukrainas thanë se vizita dy-ditore e Stoltenberg paraqiste një rëndësi të madhe simbolike për vendin në përpjekjet e tij për integrimin perëndimor përballë një rebelimi pro-rus në territoret lindore.

Ukraina i bëri presion NATO-s për armatime për të ndihmuar në mbrojtjen kundër separatistëve pro-rusë, por kreu i aleancës rezistoi nga frika se mos kërcënonte një armëpushim të brishtë me rebelët e mbështetur nga Rusia.

Ukraina hoqi dorë për t’u bashkuar me aleancën Atlantike të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2010 për të kënaqur Moskën, por me kalimin e kohës e pa anëtarësimin në NATO si të vetmen mënyrë për të mbrojtur territorin e saj. Pikërisht kjo e fundit u bë mollë sherri mes Moskës dhe Ukrainës përplasje që kulmuan me hyrjen e trupave ruse në territorin e Ukrainës më 24 Shkurt të vitit 2022.

“Rusia ka sulmuar Ukrainën. Ky është një akt brutal lufte. Mendimet tona janë me popullin e guximshëm të Ukrainës. Fatkeqësisht, ajo që kemi paralajmëruar për muaj të tërë ka ndodhur, pavarësisht nga të gjitha thirrjet ndaj Rusisë për të ndryshuar kurs dhe përpjekjet e palodhshme për të gjetur një zgjidhje diplomatike. Paqja në kontinentin tonë është shkatërruar. Tani kemi luftë në Evropë në një shkallë dhe të një lloji që mendonim se i përkiste historisë.”

Pikërisht lufta në Ukrainë ishte një provë edhe për vetë Jens Stoltenberg dhe aleancën e NATO-s. Duke qenë se qëllimi i organizatës ushtarake më të madhe në botë është parandalimi i konfliktit dhe jo provokimi i tij, NATO vendosi të mos ndërhynte pasi rrezikohej që lufta të përshkallëzohej dhe të përhapej përtej Ukrainës, gjë që do të rezultonte të ishte edhe më shkatërruese dhe e rrezikshme.

“Pra, ne e kemi bërë të qartë se nuk do të lëvizim në Ukrainë as në tokë dhe as në hapësirën ajrore të Ukrainës. E vetmja mënyrë për të implementuar një zonë ndalim-fluturimi është të dërgojmë avionë ushtarake të NATO-s në hapësirën ajrore të Ukrainës për të rrëzuar dronët rusë. Ne e kuptojmë dëshpërimin, por gjithashtu besojmë se nëse do ta bënim këtë, do të përfundonim në një luftë të plotë në Evropë duke përfshirë shumë më tepër vende dhe duke shkaktuar shumë më tepër vuajtje njerëzore”.

Pas shqetësimeve të krijuara nga sulmi rus mbi Ukrainën, Finlanda dhe Suedia dorëzuan kërkesën për t’u anëtarësuar në NATO.

“Veriu është strategjikisht i rëndësishëm për sigurinë euroatlantike. Kur Finlanda dhe Suedia të bashkohen me NATO-n, shtatë nga tetë vende arktike do të jenë anëtarë të NATO-s. Rruga më e shkurtër për në Amerikën e Veriut për raketat dhe bombarduesit rusë do të ishte mbi Polin e Veriut”.

Stoltenberg prej kohësh u ka bërë thirrje vendeve anëtare të shpenzojnë në mbrojtje. Sipas tij, lufta në Ukrainë tregoi se bota ishte bërë më e rrezikshme dhe aleatët e NATO-s duhej të përgjigjeshin duke vendosur dhe përmbushur synime më ambicioze të shpenzimeve ushtarake.

Mënyra se si Stoltenberg reagoi në disa nga kohët më të vështira të aleancës vendet anëtare vendosën që në krye të saj të mbanin një drejtues me përvojë dhe jo një emër të ri.

NATO vendosi të martën të zgjaste mandatin e Stoltenberg me një vit tjetër, por kjo nuk ishte hera e parë që mandati zgjatje.

Mundësitë që mandat i tij të zgjatej për herë të katërt ishin rritur me afrimin e samitit në Vilnius më 11 Korrik. Aleatët i druheshin një përçarjeje të mundshme, por edhe një konflikti të drejtpërdrejt mes NATO-s dhe Rusisë dhe zgjedhja e Stoltenberg mesa dukej rezultonte të ishte e duhura.

Megjithatë, Stoltenberg e presin sfida të shumta përfshirë kërcënimin e një lufte tokësore në shkallë të gjerë në Evropë, rreziqet e përhapjes së armëve bërthamore, një Kinë gjithnjë e më këmbëngulëse dhe fusha të reja të konkurrencës në teknologjinë kibernetike dhe hapësinore. /Klan News

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme