Google ADS

5G mund të paralizojë aviacionin e SHBA

01:50 | 19 Janar 2022
Trina Galanxhi

Kompanitë ajrore të SHBA-së paralajmëruan se rrjeti i ri celular 5G, që pritet të fillojë punën të mërkurën, mund të nxjerrë jashtë përdorimit një numër të konsiderueshëm avionësh të mëdhenj dhe të bllokojë me dhjetëra e mijëra amerikanë jashtë vendit duke shkaktuar kaos në fluturimet ndërkombëtare.

“Në qoftë se qendrat tona kryesore, nuk marrin leje për të operuar, udhëtimi i publikut dhe transportimi i mallrave do të jetë i pamundur”, shkruajnë drejtorët ekzekutivë të disa prej linjave kryesore si American Airlines, Delta Airlines, United Airlines dhe Southwest Airlines.

Administrata Federale e Aviacionit ka paralajmëruar rreth mundësisë që teknologjia e re 5G mund të ndikojë në disa instrumente të ndjeshme të aeroplanit si altimetri dhe të pengojë operimin e avionit në kushtet e motit të keq kur pamja është e dobët. Linjat ajrore të hënën po shqyrtonin mundësinë e anulimit të disa fluturimeve ndërkombëtare, që janë planifikuar të mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara të mërkurën.

“Veprimi është i domosdoshëm. Thënë troç, tregtia e vendit do të ndalet”, thuhet në letrën e nënshkruar po ashtu nga UPS Airlines, Alaska Air, Atlas Air, JetBlue Airways dhe FedEx Express.

Administrata Federale e Aviacionit tha se do të vazhdojë punën për të ofruar siguri për udhëtarët, ndërsa shtoi se po përpiqet të pakësojë vonesat dhe anulimet e fluturimeve për shkak të rrjetit të ri 5G. Agjencitë tjera qeveritare nuk kanë bërë ende komente.

Firmat AT&T dhe Verizon, dy kompanitë që fituan të drejtën e ofrimit të shërbimit të ri 5G, kanë rënë dakord që zonat rreth 50 aeroporteve të mbesin neutrale për gjashtë muaj, për të pakësuar rreziqet e ndërhyrjeve të mundshme. Verizon dhe AT&T nuk pranuan të komentojnë, ndërsa kanë argumentuar se rrjeti i ri 5G funksionon me sukses në rreth 40 vende të tjera dhe pa shkaktuar probleme në shërbimin e aviacionit. Disa vende të mëdha, përfshirë Kinën, kanë filluar të përdorin në masë rrjetin 5G, por deri më sot nuk është raportuar asnjë incident me avionët./klannews/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme