5 Yjet dhe demokratët forcojnë koalicionin

00:19 | 21 Shtator 2019
Trina Galanxhi

Pas aleancës për qeverinë qendrore Lëvizja 5 Yjet dhe Partia Demokratike në Itali kanë ndërmarrë një tjetër lëvizje që mund të konsolidojë koalicionin mes tyre. Palët kanë rënë dakord për të bashkëpunuar edhe për zgjedhjet e pjesshme rajonale, që mbahen muajin e ardhshëm.

Anëtarë të lëvizjes anti-sistem 5 Yjet, në Itali, mbështetën të premten një aleancë të re me Partinë Demokratike të majtë për qeverisjen rajonale. Bëhet fjalë për një aleancë që mund të përforcojë qeverinë qendrore dhe të rimodelojë politikën italiane.

Duke ndjekur rekomandimin e kryetarit Luigi Di Maio, 61 për qind e anëtarësisë së 5 Yjeve votuan në favor të një kandidati të përbashkët me PD për zgjedhjet për guvernatorin e rajonit të Umbrias, që mbahen muajin e ardhshëm.

Votimi, i kryer online, shënon një ndryshim të qasjes tradicionale të 5 Yjeve, që refuzonte aleancat elektorale dhe krijon shanset që bashkëpunimi të shtrihet përtej Umbrias, një rajon qendror i Italisë me 900 mijë banorë.

Duke bashkuar forcat, 5 Yjet dhe Partia Demokratike synojnë të ndalin hovin e fitoreve të qendrës së djathtë, që ka triumfuar në 7 zgjedhje rajonale të mbajtura që prej Marsit të vitit 2018.

Një sukses eventual në zgjedhjet për Umbrian, më 27 tetor, do të shtrojë terrenin për bashkëpunim edhe për rajonet e tjera si Emilia Romanja në veriun industrial dhe Kalabria në jugun e varfër.

Analistët e mediave italiane thonë se një lëvizje e tillë mund të krijojë kushtet që 5 Yjet dhe PD të kthehen në një aleancë të konsoliduar që në të ardhmen mund të sfidojë ekstremistët e Ligës së Veriut të udhëhequr nga Mateo Salvini, aktualisht në opozitë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme