48 orët e fundit para zgjedhjeve për në Kongres

19:21 | 4 Nëntor 2018
Arbresh.info

Pas një sezoni të gjatë zgjedhor irritues dhe përçarës, zgjedhjet për në Kongresin amerikan do të konsiderohen në mënyrë të pashmangshme si referendum për një president polarizues.

Kanë ngelur vetëm 48 orë deri në zgjedhjet e së martës. Presidenti Trump do të vazhdojë pjesëmarrjen në tubime deri ditën e fundit.

Ai ishte në dy tubime të shtunën, ka planifikuar dy për sot dhe tre të tjerë për nesër. Ndërkohë, ish-presidenti Obama do të mbajë fjalim sot në mbështetje të demokratëve në Çikago.

Tashmë vetëm 48 orë kanë ngelur para zgjedhjeve vendimtare për Kongresin amerikan. Dhe figura nga të dyja palët, vazhdojnë turnetë nëpër vend. Presidenti Trump është në segmentin e fundit të një fushate që do të përfshijë gjithsej 44 qytete.

Të shtunën, ai ishte në shtetet e Montanës dhe Floridës:

“Unë e dua shtetin e Floridës. E duam shumë gadishullin” tha presidenti Trump gjatë një tubimi.

Sot, do të marrë pjesë në tubime në Xhorxhia dhe Tenesi…dhe nesër në shtetet Indiana, Ohajo, dhe Mizuri.

Presidenti foli për ekonominë, por pranoi se njerëzit reagojnë më shumë kur flitet për imigracionin dhe sigurimin e kufirit.

“Mund të flasim për ekonominë, por e dimë sa mirë po shkon. Ne duhet të zgjidhim probleme” tha ai.

Ndërkohë një karvan emigrantësh është ende 1100 kilometra larg nga kufiri i Shteteve të Bashkuara…

Presidenti e ka përdorur atë si pikë mbështetëse:

“Demokratët po inkurajojnë hapur miliona të huaj të paligjshëm për të shkelur ligjet tona, sovranitetin tonë, të kapërcejnë kufijtë tanë dhe të shkatërrojnë kombin tonë në shumë mënyra….Nuk mund ta lejojmë që kjo të ndodhë”.

Disa demokratë e quajnë karvanin një çështje humanitare dhe…në një sondazh të ABC News dhe Washington Post-it, 47 për qind e të anketuarve thanë se ata kanë besim tek demokratët për të menaxhuar sigurimin e kufirit, ndërkohë që 49 për qind thanë se kanë besim tek republikanët.

Në shtetin e Ohajos, ish-nënpresidenti Joe Biden u shpreh se zgjedhjet janë një referendum për udhëheqjen e Trump-it.

Votuesit e kanë marrë seriozisht mesazhin…rradhë të gjata ka patur nga Nevada në Karolinën e Veriut, demokratë dhe republikanë duke votuar herët:

“Unë do të jem i zënë me punë të martën, nuk mund të jem në gjendje të votoj. Por po votoj tani se nuk dua të humb shansin”, thotë një votues.

Numri i atyre që do të votojnë ka gjasa të jetë përqindje historike…numri i atyre që kanë votuar herët është dyfishi nga katër vjet më parë….

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme