Inteligjenca gjermane paralajmëron për rritje të kërcënimit terrorist islamik

09:56 | 11 Qershor 2024
E.G

Kërcënimi nga sulmet terroriste islamike në Gjermani është dukshëm më i lartë se në vitet e mëparshme, pjesërisht për shkak të luftës në Gazë, tha agjencia e inteligjencës e Gjermanisë.

“Rreziku i sulmeve xhihadiste është më i lartë seç ka qenë për një kohë të gjatë”, tha për DPA-në kreu i shërbimeve vendase të inteligjencës, Thomas Haldenwang.

“Situata në Lindjen e Mesme, pas sulmit terrorist nga Hamasi [grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera] sigurisht se kontribuon në kërcënimin e shtuar që paraqet terrorizmi islamik”, tha ai.

Sipas tij, Gjermania është më shumë në fokusin e xhihadistëve sesa vendet e tjera evropiane, sepse “së bashku me SHBA-në, konsiderohet të jetë një nga mbështetëset më të rëndësishme të Izraelit”.

Përveç kësaj, Haldenwang përmendi edhe ndikimin nga udhëheqja talibane në Afganistan, si dhe forcimin e grupit militant, Shteti Islamik Khorasan, në Pakistan dhe Afganistan.

Në muajin maj, një 25-vjeçar afgan plagosi pesë persona me thikë në një tubim të organizuar nga lëvizja anti-islamike, Pax Europa, në qytetin jugperëndimor të Gjermanisë, Manhajm.

Ai gjithashtu sulmoi një polic, i cili vidiq më vonë nga plagët.

Hetuesit dyshojnë se motivi pas këtij sulmi lidhet me ekstremizmin islamik./REL/

Të ngjashme