Gjykata Kushtetuese konfirmoi si proporcionale masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, i akuzuar nga SPAK-u për korrupsion pasiv në çështjen e kompleksit Partizani, ndërsa shfuqizoi si joproporcionale vendimet gjyqësore në pjesën që kanë caktuar ndaj tij masën “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Gjykata theksoi se kjo masë e dytë sigurie cënon parimin e proporcionalitetit, përderisa qëllimet e saj përmbushen nga masa tjetër e dhënë ndaj kërkuesit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Zoti Berisha kishte kërkuar shfuqizimin si të papajtueshme me Kushtetutën të dyja masat nga vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendimet e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si dhe nga vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Këtë vendim Gjykata e mori sot pas një mbledhje afro shtatë orë mbi kërkesën e zotit Berisha, sipas të cilit, “prokuroria duhej të kishte marrë autorizim nga Kuvendi përpara se të kërkonte nga gjykatat caktimin e këtyre masave të sigurimit personal”.
Por Gjykata Kushtetuese vendosi se nuk nevojitet kërkimi i autorizimit të Kuvendit nga prokuroria, sepse saj, masa detyrim paraqitje në policinë gjyqësore “nuk kufizon liritë e tij personale”, ndërsa për masën ndalim i daljes jashtë vendit theksoi se “kërkuesi në cilësinë e deputetit nuk gëzon mbrojtje të veçantë në këtë aspekt”.
Gjykata shpalli si të pabazuar edhe pretendimin e zotit Berisha për procesin e rregullt në drejtim të mbrojtjes efektive, teksa vlerësoi se ish kryeministrit i është dhënë mundësia e mbrojtjes në përputhje me garancitë proceduriale të parashikuara nga ligji.
Kryetarja e Gjykatës, Holta Zaçaj pohoi në një konferencë me gazetarët se vendimi i sotëm ka të bëjë vetëm me dy masat e para të sigurisë, ndërsa kërkesa tjetër e zotit Berisha mbi masën e arrestit shtëpiak, e cila ka mbërritur para pak ditësh, do të jetë pjesë e një procesi tjetër gjyqësor.
Ish kryeministri Sali Berisha bëri të ditur se do t’i drejtohej Gjykatës së Strasburgut për të Ddrejtat e Njeriut, duke e cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese “si të turpshëm dhe shkallën më të ulët të gjykimit dhe përgjegjësisë”.
Prokuroria e Posaçme mori tetorin e kaluar masat e detyrimit për paraqitje dhe ndalim të udhëtimeve jashtë vendit ndaj ish kryeministrit Sali Berisha në kuadër të hetimeve ndaj procedurave për privatizimin e ish Kompleksit sportiv Partizani. Ai nuk e zbatoi masën e paraqitjes në policinë gjyqësore një herë në dy javë, ndaj SPAK-u vendosi për “arrest shtëpie” ndaj tij, për mosbindje ndaj urdhërit të Gjykatës.
Një muaj më parë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet dhe çoi në Gjykatën e Posaçme çështjen ndaj ish kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, duke i akuzuar për korrupsion në bashkëpunim në procesin e privatizimit të kompleksit sportiv Partizani./voa
Roma fillon të këndellet, ‘shkatërron’ në shtëpi Parman
Kusari-Lila rrëfehet për kancerin e gjirit: E zbulova krejt ...
Të paktën 20 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë
LDK premton koeficient të pagave 150 euro për të giithë shër...
U tha se zëvendësministri i ri i MINT-it ishte dënuar për ke...
Nga 100 euro për fëmijë e pensionistë, Rrahmani: Vendim i du...