20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, familjarët ende vajtojnë

23:41 | 26 Dhjetor 2024
K.B

Familjarë e të afërm të viktimave të tsunamit u mblodhën për t’u lutur dhe vizituar varrezat masive në qytetin Banda Aceh të Indonezisë së enjten për të përkujtuar 20 vjetorin e cunamit në Oqeanin Paqësor, një prej katastrofave më të mëdha natyrore në historinë moderne.

Shumë prej të pranishmëve qanin ndërsa vendosnin lule në varrin masiv në fshatin Ulee Lheue, ku ndodhen mbi 14,000 viktima të paidentifikuara të cunamit. Kjo është një prej varrezave masive në Banda Aceh, kryeqytetin e njërës prej krahinave veriore të Indonezisë, që ishte edhe njëri prej vendbanimeve më të goditura nga tërmeti prej 9.1 shkallësh dhe cunamit masiv që e shkaktoi ai.

“Na mungojnë dhe ende nuk e dimë se ku janë. E tëra që dimë është se çdo vot e vizitojmë varrin masiv në Ulee Lhue dhe në Siron”, thotë Muhamad Amirudin, i cili humbi dy fëmijtë e tij para 20 vitesh deh kurrë nuk i gjeti trupat e tyre.

Tërmeti i fuqishëm në afërsi të ishullit indonezian Sumatra më 26 dhjetor të vitit 2004, nxiti cunamin që shkaktoi vdekjen e rreth 230,000 njerëzve në disa shtetet, përfshirë disa prej tyre në Afrikën Lindore. Rreth 1.7 milionë njerëz u zhvendosën si pasojë, shumica në katër vendet që u goditën më së shumti: Indonezi, Shri Lankë, Indi dhe Tajlandë.

Mbi 170 mijë njerëz humbën jetën vetëm në Indonezi.

Ndonëse 20 vite kaluan që nga kjo ngjarje, të mbijetuarit në Indonezi ende po vajtojnë për të dashurit që i humbën kur valët gjigande rrafshuan ndërtesat deri në kryeqytetin Banda Aceh.

Qindra njerëz u mblodhën për të marrë pjesë në lutje në Xhaminë Baiturrahman në qendër të kryeqytetit. Sirenat kumbuan nëpër tërë qytetin për tre minuta për të shënuar kohën kur goditi tërmeti.

Infrastruktura në Banda Aceh është rindërtuar dhe tani është më e qëndrueshme se atëherë kur goditi cunami. Sistemi i paralajmërimit të hershëm tani është vendosur në zonat bregdetare për t’i paralajmëruar banorët për rreziqet nga cunami./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme