Më 1 maj do të mbushen 20 vjet nga anëtarësimi i Hungarisë në Bashkimin Evropian. Ndërsa tensionet politike dhe marrëdhënia e tensionuar e këtij vendi me BE-në duket se hedhin hije mbi këtë përvjetor, shqetësim përbën edhe prirja e hungarezëve për t’u larguar dhe për të gjetur punësim në vende të tjera.
Ndërsa Hungaria shënon 20 vjet në Bashkimin Evropian, tensionet e vazhdueshme politike kanë lënë në hije festimet.
Çdo ditë, Janos Gyorgy Szeredi, kuzhinier 47-vjeçar nga Hungaria shkon në punë në kryeqytetin austriak Vjenë. Rrugëtimi i tij i përditshëm reflekton prirjen gjithnjë e në rritje të të rinjve hungarezë që po lënë vendin e tyre për të gjetur mundësi më të mira brenda Bashkimit Evropian.
Zotit Szeredi i kujtohet koha përpara anëtarësimit në BE, kur udhëtimi drejt Austrisë ishte një proces më i komplikuar.
“Nuk ishim anëtarë të BE-së atëherë. Më duhej të merrja vizë. Duhej të shkoja tek ambasada austriake në Budapest dhe të kaloja një provim për gjuhën”, tregon zoti Szeredi.
Pavarësisht sfidave, zoti Szeredi dhe të tjerë si ai mendojnë se puna në vende të tjera të BE-së ofron shpërblim më të mirë dhe kushte më të mira.
“Është më pastër dhe ka më shumë rregull këtu. Kushtet e punës janë gjithashtu me më shumë pastërti dhe rregull”, thotë zoti Szeredi për vendin e tij të punës në Vjenë.
Ai thotë se klima shoqërore dhe mënyra e trajtimit është shumë më e mirë.
“Këtu më trajtojnë si njeri dhe nuk më flet dikush sikur të jem qen. Nuk është si në atdhe. Këtu ka njerëz nga vende të ndryshme dhe punojnë krah për krah shumë mirë, pa probleme dhe nuk ka situata stresuese si në atdhe”, thotë zoti Szeredi.
Prirja e emigrimit të të rinjve po krijon shqetësim për demografinë e ardhshme dhe stabilitetin ekonomik të Hungarisë.
Sipas një studimi të bërë në dhjetor nga Fondacioni hungarez OTP Fay, i përqëndruar tek çështjet e rinisë, tre të katërtat e të rinjve hungarezë, të moshës 16 deri në 24 vjeçare e kanë të vështirë të gjejnë një punë për të filluar karrierën e tyre. Mbi gjysma e të anketuarve mendojnë se brenda një dekade do të jenë duke punuar jashtë vendit.
David Juhos, student 20-vjeçar hungarez në Vjenë, lavdëron BE-në për nxitjen e bashkëpunimit dhe lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.
Ai shpreh megjithatë shqetësimin për drejtimin politik që Hungaria po merr me kryeministrin Viktor Orban.
“E ndjen në atmosferën në Hungari se ka diçka që nuk shkon dhe se vendi nuk po shkon në drejtimin e duhur dhe mendoj se kjo është arsyeja kryesore përse kaq shumë të rinj po largohen”, thotë zoti Juhos.
Klima politike në Hungari është një tjetër çështje që lë në hije përvjetorin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Unioni e ka akuzuar qeverinë e zotit Orban për dëmtim të funksionimin të shtetit ligjor, të lirive të medias dhe të drejtat e pakicave.
Mosmarrëveshjet kanë sjellë edhe masa ligjore të marra nga BE-ja dhe kanë tensionuar marrëdhënien e Hungarisë me Bashkimin Evropian.
Kurti merr pjesë në manifestimin e Ditës Botërore të gjuhës ...
Vetaksidentohet vetura e policisë në veri, lëndohen pesë pol...
Një person humb jetën pas shpërthimit të bombolës së gazit n...
Këto janë të gjitha çmimet që i ndau FFK-ja
SHBA thotë se shpërblimi për arrestimin e liderit të ri siri...
Aksident me vdekje në Durrës