Google ADS

Vulin përsëri në Moskë, takohet me shefin e spiunazhit të Rusisë

13:02 | 16 Tetor 2024
Q L

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, është takuar të mërkurën me drejtorin e Shërbimit të Jashtëm për Inteligjencë të Rusisë, Sergey Naryshkin.

Vulin dhe Naryshkin kanë diskutuar për përmirësim dhe forcim të bashkëpunimit mes strukturave të sigurisë së Serbisë dhe Rusisë, ka thënë Qeveria e Serbisë, më 16 tetor.

Sipas komunikatës së Qeverisë, Naryshkin ka thënë se “përpjekjet e zëvendëskryeministrit Vulin, i cili, duke kryer funksionet e ministrit të Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme dhe drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), ka ndikuar në zhvillimin e marrëdhënieve të mira mes shërbimeve serbe dhe ruse.”

Vulin, në anën tjetër, ka falënderuar shefin rus të spiunazhit për “partneritetin e besueshëm dhe gjithmonë të sigurt, si dhe mbështetjen ndaj Serbisë”.

Përveç takimit me Naryshkinin, Vulin pritet të takohet edhe me zyrtarë tjerë rusë, dhe do të marrë pjesë në një pritje të Ambasadës së Serbisë në 80-vjetorin e çlirimit të Beogradit nga pushtimi gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vulin konsiderohet si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kremlinit në udhëheqësinë serbe.

Ai është takuar edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor në Vlladivostok, kur ka deklaruar se Serbia nuk është vetëm partnere strategjike, por edhe aleate e Rusisë.

Në janar të këtij viti, Vulin është nderuar nga presidenti i Rusisë dhe Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë.

Vulin është në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit, për lidhjet e tij me Rusinë dhe përfshirje në korrupsion gjatë kohës sa ka qenë në krye të BIA-s.

Ai ka dhënë dorëheqje prej kësaj pozite në nëntor të vitit 2023, pas presionit të vazhdueshëm të Perëndimit.

Ai është emëruar nënkryetar i Qeverisë së Serbisë në fillim të majit.

Serbia dhe Rusia kultivojnë tradicionalisht marrëdhënie të afërta.

Serbia është një nga vendet e rralla në Evropë që refuzon t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Kremlinit pas pushtimit rus të Ukrainës./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme