Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha të martën se Ushtria e Izraelit e ka bombarduar një spital në Qytetin e Gazës, i cili ishte i mbushur me të plagosur dhe me palestinezë të tjerë që po kërkonin strehim, duke i vrarë qindra prej tyre, raporton Associated Press (AP).
Nëse konfirmohet, atëherë ky do të jetë sulmi dukshëm më vdekjeprurës ajror nga Izraeli në pesë luftërat e deritanishme mes Izraelit dhe Hamasit që nga viti 2008.
Në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale shihet zjarr i madh në dhomat e Spitalit al-Ahli, xhama të thyer dhe copa të trupave të njerëzve nëpër zonë.
Ministria tha se të paktën 500 persona janë vrarë.
Shumë spitale në Qytetin Gaza janë shndërruar në kampe refugjatësh për qindra njerëz, të cilët shpresojnë se Izraeli do t’i kursejë nga bombardimet, pasi i kishte urdhëruar të gjithë banorët e këtij qyteti dhe zonave përreth të largoheshin në drejtim të pjesës jugore të Rripit të Gazës.
Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Daniel Hagari, tha se ende nuk ka hollësi rreth vdekjeve gjatë sulmit në spital.
“Ne do t’i mësojmë hollësitë dhe do ta njoftojmë publikun. Nuk e di a të them se ishte një sulm ajror izraelit”, tha ai.
Në jug, të martën bombardimet e pareshtura izraelite i vranë dhjetëra civilë dhe të paktën një komandant të lartë të grupit militant, Hamas, të cilat Izraelit thotë se për cak i kanë militantët.
Zyrtarët amerikanë janë duke punuar për ta bindur Izraelit të lejojnë furnizimin brenda Gazës për civilët, grupet humanitare dhe spitalet.
Izraeli e ka rrethuar Rripin e Gazës dhe nuk po lejon futjen e ushqimit, ujit, karburantit dhe rrymës që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit më 7 tetor.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u mor vesh me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, për të biseduar për krijimin e një mekanizmi për dërgimin e ndihmave në territorin e 2.3 milionë palestinezëve. Zyrtarët amerikanë thanë se përparimi në bisedime mund të duket modest, por theksuan se është hap i rëndësishëm përpara.
Megjithatë, nuk ka marrëveshje për këtë as të martën në mbrëmje.
Një zyrtar i lartë izraelit tha të martën se vendi i tij është duke kërkuar garanci se militantët e Hamasit nuk do t’i shfrytëzojnë këto ndihma.
Tzahi Hanegbi, kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, la të kuptohej se futja e ndihmave në Gaza do të varet nga lirimi i pengjeve që po mbahen nga Hamasi.
“Kthimi i pengjeve, që është i shenjtë në sytë tonë, është komponent kyç në çfarëdo përpjekje [për marrëveshje] humanitare”, tha ai, pa shpjeguar nëse Izraeli do të kërkonte lirimin e të gjitha 200 pengjeve që Hamasi i rrëmbeu, para se të lejojë futjen e ndihmave në Gaza.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është i gatshëm të niset për Izrael, në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e konfliktit në rajon.
Dhuna u rrit të martën në kufirin e Izraelit me Libanin, ku veprojnë militantët e Hezbollahut, të cilët mbështeten nga Irani./rel
Krasniqi për vdekjen e Sabri Popajt: Një shqiptar i rrallë, ...
Deklarata e Drenushës për Xhenetën, shkakton debat të zhurms...
Slot në afër thyerjes së një tjetër rekordi në Premier Leagu...
Xhemaili, AAK për presidenten: “New sheriff in town...
`Inventarizimi Kombëtar i Pyjeve në Kosovë`, prezentohet met...
“A je ardh me i dhanë lajmet a çka” – Drenusha ‘kapet’ me Ro...