Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden do të presë sot në Shtëpinë e Bardhë Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për bisedime që pritet të përqëndrohen në luftën e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane u tha të mërkurën gazetarëve se zoti Biden do të shprehë “angazhimin e tij të fortë për sigurinë e Izraelit” dhe se takimi do të përfshijë diskutime mbi kërcënimet ndaj Izraelit nga grupet e mbështetura nga Irani në Lindjen e Mesme si Hamasi, Hezbollahu me bazë në Liban dhe militantët Houthi në Jemen.
Përveç gjendjes humanitare në Gazë, zoti Biden dhe zoti Netanyahu do të bisedojnë edhe rreth përpjekjeve për të siguruar një marrëveshje armëpushimi që parashikon ndalimin e luftimeve, lirimin e personave që po mbahen peng nga Hamasi në Gazë, lirimin e të burgosurve palestinezë nga Izraeli dhe rritjen e ndihmave humanitare për palestinezët në Gazë.
Shtetet e Bashkuara kanë bashkëpunuar me Egjiptin dhe Katarin për të ndërmjetësuar bisedimet për armëpushim, bisedime që po zgjasin muaj të tërë mes kërkesave që janë ngritur sa nga Izraeli dhe nga Hamasi.
Zyrtari i lartë i administratës amerikane tha se në thelb ekziston një kornizë për fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit, e cila në tërësi parashikon tre faza, dhe se Shtetet e Bashkuara presin “më shumë veprim gjatë javës së ardhshme” ndërsa negociatorët përpiqen të finalizojnë marrëveshjen.
Faza e parë do të shtrihej në një periudhë kohore 42 ditore dhe do të përfshinte lirimin nga Hamasi të disa pengjeve, mes tyre, gratë, burrat mbi moshën 50 vjeçare dhe pengjet që janë të sëmurë ose të plagosur. Zyrtari amerikan tha se ajo çka ka mbetur për t’u saktësuar janë hapat e zbatimit të fazës së parë të marrëveshjes, “si do të zbatohet kjo fazë ditë pas dite”.
Në përfundim të takimit mes tyre, Presidenti Biden dhe Kryeministri Netanyah pritet të takohen me familjet e amerikanëve që po mbahen peng në Gazë.
Agjenda e zotit Netanyahu përfshin një takim të enjten me Nënpresidenten Kamala Harris, e cila aktualisht është pretendentja kryesore për të qenë kandidatja e Partisë Demokrate për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.
Kandidati republikan, ish Presidenti Donald Trump, do ta presë zotin Netanyahu për bisedime ditën e premte.
Zoti Trump bëri sot thirrje për t’i dhënë sa më parë fund luftës në Gazë dhe për lirimin e pengjeve, duke shtuar se Izraeli duhet të trajtojë më mirë “marrëdhëniet e tij publike”.
Në një intervistë për rrjetin Fox News të enjten në mëngjes, ish-Presidenti kritikoi ata që protestuan kundër fjalimit të Kryeministrit izraelit në Kongresin Amerikan duke bërë thirrje për dënimin me një vit burg të atyre që përdhosën flamurin e Shteteve të Bashkuara./VOA
Ruben Amorim merr vendimin e parë – bllokon largimin e yllit...
Mike Johnson: Programi i Trump-it nuk përfshin dëbimin e emi...
Gjesti dhe Xheneta sqarohen, diskutojnë gjerë e gjatë
Një qytetar nga Podujeva dorëzon në polici para të gjetura
Dita Botërore e foshnjeve të lindura para kohe – Një p...
Anisa-Anës: Po të kishe aq shumë vëmendje, nuk do dilje më p...