Carlo Cottarelli, mandatar për formimin e Qeverisë së Italisë

13:46 | 28 Maj 2018
Arbresh.info

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, kërkoi nga ish-ekonomisti i Fondit Monetar Ndërkombëtar të formojë qeverinë, në kohën kur ky vend po përballet me krizë politike.

Carlo Cottarelli është bërë i njohur si “Zotëri Gërshëra” për shkurtimet e shpenzimeve publike në Itali.

Emërimi i tij u bë pasi përpjekjet e dy partive populiste në Itali për të formuar qeverinë e koalicionit, dështuan.

Emërimi, megjithatë, shihet si masë e përkohshme deri në zgjedhje të reja.

Italia, ekonomia e katërt më e madhe në Eurozonë, është pa qeveri qysh nga zgjedhjet e marsit, pasi asnjë grup politik nuk ka mundur të formojë shumicën.

Dy fituesit e mëdhenj të zgjedhjeve – Pesë Yjet dhe Liga – kanë bërë përpjekje t’i bashkojnë forcat, por i kanë braktisur ato pasi presidenti i ka vënë veto zgjedhjes së tyre për ministrin e Financave.

Veprimi i rrallë nga presidenti i ka zemëruar të dyja palët, të cilat kanë thënë se do të refuzojnë emërimin e Cottarellit në parlament.

Nëse kjo ndodh, Cottarelli tha se do të japë dorëheqje dhe se zgjedhjet e parakohshme do të mbahen pas gushtit./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme