Google ADS

15 të vdekur nga përplasja e autobusit me kamion në Kanada

08:38 | 16 Qershor 2023
Emir Abduramani

Një autobus që transportonte të moshuar drejt një kazinoje u përplas me një kamion në një kryqëzim autostrade në një zonë rurale të provincës kanadeze të Manitobas të enjten, duke vrarë 15 persona dhe duke plagosur 10 të tjerë, tha policia.

Rob Hill, komandant i policisë kanadeze në Manitoba, tha se autobusi po transportonte 25 persona. Dhjetë të mbijetuarit u dërguan në spitale.

Pamjet televizive transmetuan imazhe të asaj që dukej si një furgon ose autobus i madh që digjej në një kanal pranë një kamioni transporti. Trotuari ishte i mbushur me mbetje nga përplasja dhe xhama të thyer.

Kryeinspektori i policisë, Rob Lasson tha se “për momentin drejtuesit e autobusit dhe kamionit janë gjallë dhe në spital”. Ai nuk tha nëse ata ishin në mesin e 10 të lënduarve. Të vdekurit ishin kryesisht të moshuar.

Përplasja ndodhi në Karberri, një qytet 170 kilometra në perëndim të kryeqytetit të Manitobës, Uinipeg.

“Lajmi nga Karberri, Manitoba është tepër tragjik”, shkroi në Tëitter kryeministri kanadez Justin Trudeau.

“Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për ata që humbën të dashurit sot dhe po i mbaj të lënduarit në mendjen time”, tha ai.

Flamujt janë ulur në gjysmë shtizë në legjislaturën e Manitobës.

Kjo ngjarje riktheu kujtimet e përplasjes së autobusit të vitit 2018 në provincën fqinje të Saskatçeuan që vrau 16 persona.

“Mjerisht kjo është një ditë që do të mbahet mend si një ditë tragjedie dhe trishtimi të pabesueshëm në Manitoba dhe në të gjithë Kanadanë”, tha Hill./rel

Të ngjashme