Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, tanimë është afër që të emërohet Sekretar i Përgjithshëm të OSBE-së.
Kështu bëhet e ditur nga njoftimi i lëshuar nga OSBE-ja, ku vihet në pah se më 3 shtator do të përfundoj mandati i Sekretares së Përgjithshme të OSBE-së, znj, Helga Maria Schmind, raporton Arbresh.info.
”Duke marrë parasysh se, sipas Vendimit të Këshillit Ministror nr. 6/23, mandati i Sekretares së Përgjithshme të OSBE-së, znj. Helga Maria Schmid, përfundon më 3 shtator 2024,
Duke marrë parasysh rekomandimin e Këshillit të Përhershëm,
Vendos të emërojë z. Igli Hasani si Sekretar të Përgjithshëm të OSBE-së për tre vjet me efekt nga 4 shtator 2024”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Kush është Igli Hasani?
Igli Hasani (lindur në Tiranë më 4 Dhjetor 1976) është diplomat, ekspert i sigurisë, dhe prej Shtatorit 2023 mban pozicionin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në qeverinë e Kryeministrit Edi Rama.
Igli Hasani ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Sociale për Filozofi – Sociologji (BA, 1996 – 2001), si dhe në Fakultetin e Drejtësisë për Ligj (LLB, 2001-2006). Gjithashtu, ka përfunduar Studimet Master (MA) për Marrëdhënie Ndërkombëtare (2006) në Kings College në Londër, në një program në bashkëpunim me Kolegjin Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, një nga Institucionet Arsimore të Mbrojtjes më prestigjioze në botë. Gjatë karrierës profesionale, Igli Hasani ka kryer dhe një sërë kualifikimesh ekzekutive pranë Qendrës Marshall, në Gjermani dhe Shkollës Pasuniversitare Detare të Monterey, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përpara fillimit të detyrës, si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, në periudhën Tetor 2021 – Shtator 2023, Igli Hasani ka mbajtur pozicionin e Koordinatorit të OSBE për Çështjet Ekonomiko-Ambientale. Ky ishte pozicioni më i lartë i mbajtur nga një shtetas shqiptar në OSBE, që prej anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatë, në vitin 1991.
Igli Hasani iu bashkua trupit diplomatik shqiptar në vitin 2018, si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë dhe Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, pozicion që e mbajti deri në Shtator 2021.
Në Dhjetor 2018, Shqipëria mori mbështetjen e vendeve pjesëmarrëse të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), për të drejtuar kryesimin e Organizatës gjatë vitit 2020. Kryesia e OSBE do të ishte hera e parë që Shqipëria do të drejtonte organizatën më të madhe rajonale të sigurisë në botë, duke marrë kështu një përgjegjësi të paprecedentë në diplomacinë shumëpalëshe. Për këtë qëllim, gjatë viteve 2019 – 2021, kur Shqipëria ishte pjesë e trojkës drejtuese të OSBE-së, Ambasadori Hasani drejtoi një ekip ndërkombëtar të përbërë prej më shumë se 40 diplomatësh dhe ekspertësh shqiptarë dhe të huaj, punë e cila kulmoi me Kryesinë Shqiptare të OSBE-së në vitin 2020.
Në një vit tejet të vështirë, të shënjuar nga pandemia globale e COVID-19, Shqipëria, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama si kryetar i radhës i OSBE, dhe të Ambasadorit Hasani në Vjenë arriti suksese konkrete për Organizatën, që përfshinin vazhdimin e pandërprerë të punimeve në format virtual për herë të parë në histori, si dhe zgjedhjen e 4 pozicioneve drejtuese të OSBE-së.
Gjithashtu, në Ministerialin e Tiranës, i pari i zhvilluar në kushte pandemie dhe në format pothuajse plotësisht virtual dhe pa mundësinë e negociatave direkte, Kryesia shqiptare arriti të siguronte konsensus për miratimin e 11 vendimeve të Këshillit të Ministrave të OSBE, në secilin prej dimensioneve të punës së Organizatës, përkatësisht atë të sigurisë, ekonomik-ambiental, dhe të drejtave të njeriut. Kryesia shqiptare e OSBE u konsiderua gjerësisht si e suksesshme, duke u bërë provë e gatishmërisë së Shqipërisë, e shërbimit të saj diplomatik për detyra të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.
Gjatë vitit 2019 dhe në periudhën Janar – Shtator 2021, z. Hasani drejtoi përkatësisht Grupin e Kontaktit të Mesdheut dhe Grupin e Bashkëpunimit të Partnerëve Aziatikë, si dhe bashkëpunoi ngushtë me kryesitë sllovake dhe suedeze të OSBE-së, si pjesë e Trojkës së OSBE-së.
Në periudhën 2001-2018, z. Hasani ka mbajtur pozicione drejtuese në Ministrinë e Mbrojtjes, që përfshijnë ato si: Sekretar i Përgjithshëm (2017-2018); Drejtor i Përgjithshëm për Politikat e Mbrojtjes (2014); Drejtor i NATO-s, BE-së dhe Marrëdhënieve me Jashtë; Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse dhe Drejtor Ligjor (2013), si dhe Drejtor i Integrimit Euro-Atlantik dhe Politikës së Mbrojtjes (2008 -2011). Përgjatë viteve 2012-2013, Igli Hasani ka mbajtur postin e Shefit të Departamentit për Siguri dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Qendrën Kombëtare për Siguri dhe Mbrojtje.
Përpara fillimit të karrierës në fushën e sigurisë dhe më pas diplomacisë, Igli Hasani ka patur një eksperiencë disa-vjeçare në fushën e medias dhe gazetarisë. Ai ka shërbyer si Këshilltar për Politikë dhe Media, i Ministrit të Mbrojtjes (2006-2008) si dhe Drejtor i Shtypit dhe Informacionit në Ministrinë e Mbrojtjes (2004-2006). Gjatë viteve 2001-2003 ai ka qenë zëvendësdrejtor i Shtypit dhe Informacionit në Ministrinë e Mbrojtjes si dhe Shef i Marrëdhënieve me Publikun për Sekretariatin për Refugjatët, në Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe Decentralizimit.
Më herët, Igli Hasani ka qenë gazetar dhe redaktor në disa gazeta dhe TV shqiptare, përgjatë viteve 1997-2001. Igli Hasani flet rrjedhshëm anglisht, italisht dhe greqisht.
Alex Iwobit iu zbulua dikur paga në internet dhe kishte shif...
Tentohet të vidhet banka në Korçë, policia në vendin e ngjar...
Aksident te Dheu i Bardhë, lëndohen shtatë persona
Pacolli për sulmin në Gjermani: Këta njerëz që ndryshojnë fe...
Sistemi i ri për mbrojtjen nga raketat, përforcon krahun lin...
Blerësit ankohet për çmimet, tregtarët: Ka vështirësi në fur...