100 milionë njerëz në kërkim të sigurisë

07:07 | 18 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Më 20 qershor OKB-ja shënon Ditën Botërore të Refugjatëve, nën hijen e zymtë të krizës më të madhe të njerëzve të zhvendosur që nga Lufta e Dytë Botërore. Për më tepër, njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës, Margaret Besheer.

Që përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën në muajin shkurt, agjensia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, thotë se në mbarë botën kishte 89 milionë njerëz të zhvendosur forcërisht. Me eksodin nga Ukraina, kjo shifër arriti në mbi 100 milionë.

“Vërtet tashmë jemi të përqëndruar shumë tek Ukraina, por Ukraina erdhi pas një vazhde emergjencash të tjera”, thotë Filippo Grandi, Komisioner i Lartë për Refugjatët.

Raporti i ri i agjencisë për Prirjet Globale thotë se pesë kriza të vitit të kaluar janë përgjegjëse për zhvendosjen e pothuajse 70% të njerëzve. Ato janë nga Siria, Venezuela, Afganistani, Sudani Jugor dhe Mianmari.

Në Afganistan, 24 milionë njerëz kanë nevojë për ndihma humanitare; ekonomia është në gjendje të mjeruar dhe talebanët po vendosin kufizime të mëtejshme nga grave dhe vajzave. UNHCR-ja thotë se të gjitha këto presione kanë detyruar 2.7 milionë afganë të largohen.

“Njerëzit po kalojnë kufijtë, ndonjëherë me viza, por shumicën e kohës pa viza dhe pa dokumentacion, ndonjëherë edhe deri në 20 mijë veta në ditë”, thotë Peter Kessler, zëdhënës i UNHCR-së në Afganistan.

Shumë njerëz largohen drejt vendeve fqinje. Mbi një milion janë larguar nga Ukraina për të gjetur siguri në Poloni.

“Njerëzit nuk largohen sa më shumë të jetë e mundur, por qëndrojnë pranë zonës së konfliktit. Dhe rikthehen jo sa më vonë të jetë e mundur, por sa më herët që të jetë e mundur”, thotë Rafal Kostrzynski, zëdhënës i UNHCR-së në Poloni.

Vetëm 5.7 milionë persona të zhvendosur dhe refugjatë u rikthyen në vendin e tyre të origjinës gjatë vitit 2021.

Vëmendja këtë vit është kthyer tek e drejta për të kërkuar sigurinë.

Kombet më të pasura kanë vepruar në mënyra të ndryshme për sa i përket mikpritjes së refugjatëve dhe azilkërkuesve.

Komisioneri i Lartë për Refugjatët thotë se ai shpreson që këto vende tashmë të kuptojnë lidhjen që ekziston mes bombave dhe arratisë.

“Njerëzit largohen pasi janë të frikësuar. Nuk janë vetëm ukrainasit. Sirianët u janë larguar bombardimeve, njerëzit në Tigray. Njerëzit në Sahel u janë larguan bombave dhe sulmeve të pamëshirshme. Pra frika nga pasiguria është e njëjta, qoftë për dikë nga Ukraina, apo nga Nikaragua”, thotë zoti Grandi.

E tronditur nga frika dhe pasiguria, Iryna Morykvas u largua nga Ukraina së bashku me djalin e saj pasi Rusia filloi sulmin, duke lënë pas bashkëshortin.

“Morën vetëm gjërat më të rëndësishme dhe kaluam kufirin”, thotë ajo.

E ndodhur tashmë në Holandë, zonja Morykvas, artiste me profesion, bashkëpunoi me UNHCR-në për të krijuar logon në Twitter për Ditën Botërore të Refugjatëve të këtij viti.

“Kur hapim derën e shtëpisë sonë për njerëzit në nevojë, por refugjatët për shembull që kanë nevojë, është si të hapim zemrën, pasi shtëpia është zemra e një familjeje”, thotë ajo.

Dhjetër miliona refugjatë dhe të zhvendosur në mbarë botën shpresojnë të priten me ngrohtësi dhe siguri./VoA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme