Izraeli do ta vazhdojë luftën e vet kundër Hamasit derisa të triumfojë dhe nuk do të ndalet nga askush, as nga gjykata botërore, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një fjalim mospërfillës të shtunën mbrëma, një ditë para se lufta në Rripin e Gazës të futet në ditën e 100-të.
Netanyahu foli pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë i mbajti dy seanca dëgjimore rreth akuzave të Afrikës së Jugut se Izraeli është duke kryer gjenocid kundër palestinezëve.
Izraeli i ka mohuar këto akuza, duke i cilësuar si hipokrite dhe shpifje.
Afrika e Jugut i ka kërkuar gjykatës ta urdhërojë Izraelin ta ndalë ofensivën e saj ajrore dhe tokësore, e cila e ka rrënuar Gazën.
“Askush nuk do të na ndalë, as Haga, as boshti i së keqes e askush tjetër”, tha Netanyahu, duke iu referuar Iranit dhe milicive aleate të tij.
Rasti kundër Izraelit në gjykatën botërore pritet të zgjasë shumë vite, por një vendim për hapat e përkohshëm mund të merret brenda pak javësh.
Vendimet e gjykatës janë të detyrueshme por vështirë të zbatueshme. Netanyahu e bëri të qartë se Izraeli do t’i shpërfillë urdhrat për ta ndalur luftën, gjë që më gjasë do ta thellojë izolimin e tij.
Izraeli është duke u përballur me trysni të madhe ndërkombëtare për ta ndalur luftën, e cila i ka vrarë më shumë se 23.000 palestinezë në Gazë dhe ka shkaktuar vuajtje të mëdha në enklavën e rrethuar. Megjithatë, deri tani, Izraeli është mbrojtur nga mbështetje ushtarake dhe diplomatike e Shteteve të Bashkuara.
Mijëra njerëz protestuan në rrugët e Uashingtonit, Londrës, Parisit, Romës, Milanos dhe Dublinit të shtunën, duke kërkuar ndaljen e luftës.
Izraeli argumenton se përfundimi i luftës nënkupton triumf për Hamasin – grupin e shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – i cili e sundon Gazën prej vitit 2007 dhe është i vendosur ta shkatërrojë Izraelin.
Lufta u nxit nga një sulm vdekjeprurës më 7 tetor, gjatë të cilit pjesëtarët e Hamasit dhe militantë të tjerë i vranë rreth 1.200 njerëz në Izrael, kryesisht civilë. Më shumë se 250 njerëz u morën peng dhe, derisa disa janë liruar apo kanë vdekur, më shumë se gjysma e tyre besohet se janë duke u mbajtur rob ende.
E diela shënon 100 ditët e luftimeve në Gazë.
Druajtjet se konflikti mund të zgjerohet në gjithë rajonin kanë qenë të dukshme prej se nisi lufta. Fronte të reja u hapën shpejt, pasi grupet e mbështetura nga Irani – rebelët huthi në Jemen, Hezbollahu në Liban dhe milicit e mbështetura nga Irani në Irak dhe Siri – kanë kryer sulme të vazhdueshme. Prej ditës së parë, Shtetet e Bashkuara e rritën praninë ushtarake në rajon për ta parandaluar përshkallëzimin.
Pas sulmeve me raketa dhe dronë nga rebelët huthi kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe i bombarduan caqet e rebelëve në Jemen të premten. Ushtria amerikane e kreu edhe një sulm të ri të shtunën.
Izraeli ka argumentuar se Hamasi është përgjegjës për numrin e madh të civilëve të vrarë në Gazë, duke thënë se luftëtarët e tij po i përdorin ndërtesat civile dhe se po kryejnë sulme nga zonat e mbipopulluara urbane.
Prej se e nisi ofensivën tokësore në fund të tetorit, 187 ushtarë izraelitë janë vrarë dhe 1.099 të tjerë janë plagosur në Gazë, tha ushtria izraelite.
Më shumë se 85 për qind e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë zhvendosur brenda vendit si pasojë e luftës së Izraelit, ndërsa pjesë të mëdha të vendit janë bërë rrafsh me tokën.
Më pak se gjysma e 36 spitaleve të këtij territori mund të punojnë vetëm pjesërisht, sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara për çështje humanitare, OCHA.
Palestinezët në Gazë përballen me mungesë të madhe të ushqimit, ujit të pastër dhe karburantit, dhe OCHA thotë se Izraeli i ka rritur kufizimet ndaj misioneve humanitare prej vitit të këtij viti.
Sipas saj, vetëm 21 për qind e ushqimit, barnave, ujit dhe furnizimeve të tjera të planifikuara mund të dërgohen në veri të Gazës.
Thirrjet nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera që Izraeli t’i lehtësojë vuajtjet civilëve palestinezë kanë qenë shumë pak të suksesshme./rel
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...