10 vjet nga mbytja e emigrantëve në Lampeduza, Meloni: Duhet t’i japim fund trafikimit të qënieve njerëzore

18:55 | 3 Tetor 2023
E.G

Kanë kaluar sot 10 vjet nga mbytja më tragjike e emigrantëve dhe refugjatëve që ka ndodhur ndonjëherë në Lampedusa. Më 3 tetor 2013, 368 persona në bordin e një varke, pothuajse të gjithë somalezë dhe eritreianë, humbën jetën afër portit të ishullit të vogël italian.

Ata ishin pranë dhe kur panë tokë, dogjën një batanije që rojet bregdetare italiane t’i shihnin. Zjarri në pak sekonda u përhap në të gjithë varkën e vogël.

Ata arritën të shpëtonin 155 refugjatë, mes tyre edhe dy fëmijë të vegjël.

Italia dhe e gjithë bota u trondit nga kjo ngjarje e tmerrshme. Disa ditë më vonë, Papa Françesku i sapozgjedhur në atë kohë vizitoi këtë ishull të vogël në jug të Siçilisë, duke apeluar “që të gjithë të bashkojnë përpjekjet e tyre që një tragjedi e tillë të mos ndodhë më”.

Mbrëmë, në orën 3:35 me orën lokale (pikërisht kur shpërtheu zjarri) banorët e Lampedusa dhe të mbijetuarit u lutën për viktimat, ndërsa mëngjesin e sotëm në një ceremoni të veçantë përkujtimore vendosën kurorë me lule pikërisht aty ku ndodhi rrënimi.

Në të njëjtën kohë në ishull u organizua një marshim me sloganin “Lampedusa nuk të harron”.

Gjithashtu, edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni foli sot në dhjetëvjetorin e tragjedisë. Ajo tha se qeveria italiane do të përpiqet që të thyejë rrjetin e trafikimit të qënieve njerëzore.

“Që nga ajo ditë, shumë tragjedi të ngjashme kanë ndodhur gjatë përpjekjeve të emigrantëve për të arritur në brigjet e Evropës. Është përgjegjësia jonë absolute t’i japim fund kësaj kasaphane të pandërprerë duke ndaluar nisjet e varkave të improvizuara. Përpjekja e qeverisë italiane për të thyer tregtinë e tmerrshme të trafikimit të qenieve njerëzore do të vazhdojë pa pushim dhe në kujtim të të gjithë atyre që humbën jetën në det,” tha Meloni./abcnews.al

Të ngjashme