​Çekia nis vaksinimin për personat mbi 16-vjeç nga 1 qershori

22:44 | 2 Maj 2021
A. B.

Kryeministri çek Andrej Babis tha sot se Republika Çeke dëshiron të fillojë regjistrimin e personave mbi 16-vjeç për vaksinimin antiCOVID-19 më së voni deri më 1 qershor.

Aktualisht, njerëzit mbi moshën 55-vjeç mund të vaksinohen në këtë vend të BE-së, si dhe pacientë më të ri kronikë, ndërsa regjistrimet për ata të moshës 50 deri 54-vjeç fillojnë të mërkurën.

Republika Çeke, me një popullsi prej 10.7 milionë, kohët e fundit kaloi pragun e një milion njerëzve të vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, dhe 2.17 milionë morën dozën e parë.

Në Republikën Çeke, ka rreth 690.000 njerëz në grup-moshën midis 50 dhe 54- vjeç. Nëse vaksinimi shkon sipas planit, kufiri i moshës mund të ulet me pesë vjet çdo javë, njoftoi agjencia e lajmeve ÇTK, duke cituar Babish.

Numri i rasteve të reja vazhdon të bjerë në vend. Sipas të dhënave nga e shtuna, javën e kaluar numri i rasteve të reja për 100.000 banorë ra në 137. Një total prej 29.343 njerëz vdiqën si rezultat i COVID-19.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme