Në fillim të vitit të ri akademik nuk do të ketë orë shtesë për tri shkollat ku është paraparë që të ketë mësim tërëditor.
Nxënësit e shkollave fillore të mesme të ulët “Model”, “Afrim Gashi” dhe “Faik Konica” mësimin me orar shtesë nuk do ta fillojnë në shtator, por gradualisht nga muaji tetor. E kjo e fundit sivjet nuk do të startojë me mësim gjithëditor për të gjithë nxënësit, por vetëm me dy klasa me nga pesë paralele. Do të thotë, vetëm me klasat e treta dhe ato të gjashta.
Këtë vendim e ka marrë Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës, me kërkesë të vetë shkollës “Faik Konica”, bazuar në infrastrukturën që e kanë dhe mënyrën se si kanë filluar të punojnë me kornizën e re korrikulare.
Këtë e ka thënë për drejtoresha për Arsim në këtë komunë, Arbërie Nagavci, e cila ka shtuar se në muajin shtator ata kanë paraparë vetëm formimin e grupeve të nxënësve me talente të veçanta dhe atyre që kanë vështirësi në nxënie.
“Në shtator nuk do të ketë fillimisht orë shtesë, por do të punohet bashkë me mësimdhënësit në identifikim dhe në formim të grupeve të nxënësve, sepse mësimi shtesë do të organizohet sipas kërkesave, nevojave dhe specifikave të nxënësve. Që do të thotë jo të gjithë nxënësit do të jenë vazhdimisht në klasën e tyre, do të formohen grupe të nxënësve me talente të veçanta, atyre që kanë vështirësi në nxënie, pra varësisht prej specifikave do të krijohen edhe grupet e këtyre nxënësve. Në anën tjetër gjatë muajit shtator do të mbahen edhe mbledhjet me prindër në mënyrë që të njoftohen ata dhe të merren sugjerime dhe rekomandime prej tyre”, tha Nagavci.
Edhe pse, sipas Nagavcit, ky pilot-projekt do t? ? jetë me sfida, ajo thotë se ata janë duke punuar maksimalisht me mësimdhënësit që të jenë sa më afër suksesit. Për këtë, ata kanë zgjedhur nga një grup koordinues që do të vendosen në këto shkolla, të cilët do të jenë aty për t’i ndihmuar mësimdhënësit, njëherësh do të bëjnë monitorimin e punës në baza ditore.
Sa i përket krijimit të kushteve, ajo shtoi se kanë filluar përgatitjet ku gjatë këtij vitit do të punohet në krijimin hapësirave të reja.
Por, ajo theksoi se nuk do të ketë kuzhina në këto shkolla, që i bie se nuk do të ketë shujta ekstra për nxënësit që rrinë gjatë tërë ditës në shkollë.
“Çështja e kuzhinës për të gjithë nxënësit filloristë do të thotë prej klasës së parë deri në të pestën, përpos shujtës që është ofruar do të ofrohet edhe qumësht për secilin nxën ës, ndërsa për këta nxënës që po fillohet me aktivitete të shtuara nuk do të ketë shujtë ekstra… Do të rekomandohen prindërit që të përgatisin shujta të thjeshta, të lehta me gjëra të cilat i posedojnë në shtëpi edhe nga ushqimi fëmijët e konsumojnë edhe në shtëpitë e tyre. Kjo është një praktikë që madje përdoret edhe në vendet e zhvilluara dhe jo të gjitha vendet e rajonit dhe të zhvilluar ofrojnë shujta ekstra për fëmijët”, tha Nagavci.
Në anën tjetër, drejtori i shkollës “Model”, Liridon Maliqi, është i bindur se ata do të kenë sukses në projektimin e këtij projekti dhe sa u përket kushteve ai thotë ata i plotësojnë shumicën.
“Se ne kemi bërë përgatitjet optimale me drejtorin komunale të arsimit, me mësimdhënësit e shkollës sonë, gjithashtu kemi pasur takime në muajin qershor dhe njohuri paraprake para muajit qershor edhe me komunitetin e prindërve, këshillin drejtues të shkollës dhe të tjerë që janë të involvuar në këtë projekt. Kemi bërë projekt-propozimin për zhvillimin e mësimit tërëditor në shkollën tonë, do të kemi sukses sa më shumë në këtë pilot-projekt që jemi ndër të parët në Kosovë… konsiderojmë që shumicën e kushteve i plotëson objekti si objekt, ndërsa me mësimdhënës, me stafin udhëheqës i plotësojmë të gjitha kushtet sepse jemi të gatshëm ta zhvillojmë procesin mësimorë gjithëditor”, tha Maliqi.
Sipas Komunës, e gjithë kjo po bëhet me qëllim që të tejkalohet pabarazia apo efektet që gjendja socio-ekonomike e krijon tek nxënësit, ku të gjithë ata që nuk kanë mundësi të paguajnë kurse private tani e tutje do të mund t’i marrin mësimet shtesë përmes orëve ekstra.
Kështu nëse këto tri shkolla do të kenë sukses me këtë pilot-projekt gjatë këtij viti akademik, viteve të ardhshme do të fillohet edhe nëpër shkolla të tjera të Prishtinë.
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...