Zgjedhjet nuk duhet të bllokojnë aplikimin e Kosovës në UNESCO

11:01 | 3 Qershor 2017
arbresh.info

Aplikimi për anëtarësimin e Kosovës në organizatën më të rëndësishme për arsim dhe kulturë, UNESCO po neglizhohet nga institucionet në largim.

Muaji qershor është afati i fundit për aplikim, por Ministria e Punëve të Jashtme ende nuk e ka bërë të qartë nëse do të aplikojë apo jo, shkruan arbresh.info.

Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme pikërisht në këtë muaj, mund të jetë shkaku që kjo të lihet pas dore.

Njohës të kësaj fushe vlerësojnë se zgjedhjet nuk do duhej të ndikojnë negativisht për të bllokuar aplikimin në muajin qershor.

Njohës i çështjes së Integrimeve Evropiane Avni Mazreku thotë se qeveria në largim duhet të jetë funksionale pavarësisht procesit elektoral.

“Nuk ish dashtë të ndikojë negativisht procesi i zgjedhjeve në procesin e aplikimit në UNESCO, kur dihet se UNESCO është ndër proceset me të rëndësishme të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.”

Anëtarësimin e Kosovës  në organizata ndërkombëtare e konsideron si të ngecur.

“Mendoj që institucionet e shtetit pavarësisht zgjedhjeve, duhet me funksionu në këtë drejtim,” deklaron Mazreku për arbresh.info.

Dukagjin Popovci, profesor universitar dhe njohës i çështjeve të arsimit, për “arbresh.info” thotë se qeveria nuk duhet t’i lë pas dore punët e planifikuara duke shtuar se ende nuk e ka të qartë nëse Kosova do të aplikoj në UNESCO.

“Procesi zgjedhor nuk ndikon negativisht, por nuk e di sa do te merren institucionet gjate zgjedhjeve atëherë sigurisht që rezultatet do të mungojnë.”

Sipas tij, institucionet në largim nuk duhet t’i lënë pas dore punët e planifikuara, por ende nuk e kemi të qartë nëse do te aplikojnë në UNESCO.

“Ata e vlerësojnë situatën se a i kanë apo si kanë votat, e nëse nuk i kanë më mirë është më lënë pas 2 vjetëve”, shprehet Popovci.

Në sesionin e 21’të Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë  në rast të një aplikimi të Kosovës, do ta votonte anëtarësimin në muajin nëntor, në Paris.

Ende pa aplikuar Serbia ka angazhuar fuqishëm lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, proces të cilin e kishte penguar edhe në aplikimin e parë para dy viteve.

Në nëntor të vitit 2015 për vetëm tri vota Kosova nuk është pranuar në UNESCO. Patën votuar gjithsej 122 shtete, 92 pro dhe 50 ishin kundër. Kërkesa e Kosovës për anëtarësim ishte  paraqitur zyrtarisht nga Shqipëria.

Për pranimin e Kosovës në UNESCO duhen votat e më shumë se dy të tretat e vendeve anëtare të kësaj organizate që marrin pjesë në sesion.

UNESCO ka 195 vende anëtare dhe 10 vende anëtare të asocuara./Mira Avdimetaj/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme