Google ADS

Viets: Ofroni arsim cilësor, jo vetëm diploma

09:17 | 17 Shtator 2015
Arbresh.info

Në një intervistë eskluzive për “Zërin”, ambasadorja gjermane, Angelika Viets, ka kritikuar ashpër nivelin e arsimit në Kosovë. Ajo ka numëruar faktorët që kanë degraduar sistemin e arsimit në Kosovë e sidomos atë të lartë.

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, është e befasuar me numrin e madh të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë krahasuar me kapacitetin akademikdhe situatën socio-ekonomike të këtij vendi. Ajo e ka bërë të qartë se Kosova, si një vend që pretendon t’i bashkohet BE-së, duhet të synojë cilësinë e njëjtë të arsimit që ofrohet në Evropë.

Në një intervistë ekskluzive për “Zërin”, ambasadorja Viets ka kritikuar ashpër nivelin e arsimit në Kosovë.

“Kosova duhet të ndërtojë një strategji të arsimit në përgjithësi që është e përshtatshme me mjedisin social dhe ekonomik. Veçanërisht në fushën e arsimit të lartë, ku duhet të ofrohen studime cilësore e jo thjesht diploma”, ka thënë Viets në një intervistë për “Zërin”.

Ajo përmend se si të njëjtit profesorë japin mësim në institucione të ndryshime publike dhe private.

“Shohim gjithashtu t’u ofrohen të njëjtat programe për studentët. Nuk ka fare konkurrencë. Tani duhet përmirësuar disiplina”, ka thënë ambasadorja gjermane Viets.

Sa i përket mospajtimeve brenda Universitetit, ajo konsideron se “duke përdorur gjuhën e ligjit, duke u kujdesur që të mos shkelet ligji dhe duke përdorur mekanizmat legalë të të gjitha institucioneve që kanë për detyrë të mbështesin veprimtarinë legale të Universitetit, besoj se mund të gjendet një zgjidhje dhe shpresoj që kjo të ndodhë shpejt dhe mbi bazë të meritokracisë”. Ambasadorja Viets i ka dërguar mesazh të qartë udhëheqësve të sektorit të arsimit se “Vetëm duke përcaktuar dhe përmbushur synimet për standarde të larta të cilësisë, Kosova mund të prosperojë dhe të zhvillohet”.

Zëri: Znj. Ambasadore, së voni Gjermania ishte nikoqire e një Konference të Përbashkët Shkencore në Halle, Gjermani, në kuadër të iniciativës ndërqeveritare për Ballkanin Perëndimor. Cila është porosia e kësaj Konference për komunitetet akademike dhe kërkimore në rajon?

Viets: Konferenca e Përbashkët Shkencore për Ballkanin Perëndimor shërbeu si proces për evidentimin e problemeve me të cilat po përballen shkencëtarët e rinj nga ky rajon. Shërbeu si mundësi për të gjithë pjesëmarrësit për të krijuar një strategji të përbashkët për zhvillimin e kërkimit dhe shkencës. Si rezultat i Konferencës ne presim që qeveritë e Ballkanit Perëndimor do të zbatojnë rekomandimet e Konferencës dhe do të rrisin mbështetjen për projektet kërkimore dhe shkencore.

Zëri: Ju keni ndjekur zhvillimet e arsimit të lartë në Kosovë. Cilat janë sfidat kryesore që ju i veçoni si e huaj që vjen nga një vend me universitete prestigjioze?

Viets: Që nga fillimi i misionit tim në Kosovë isha gjithashtu e fokusuar në sistemin arsimor të Kosovës. Jemi të befasuar me numrin e madh të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë krahasuar me kapacitetin akademik dhe situatën socio-ekonomike të këtij vendi. Shohim që të njëjtit profesorë japin mësim në institucione të ndryshime publike dhe private. Shohim gjithashtu t’u ofrohen në këtë vend mund të prodhojnë kërkime të cilësisë së lartë që të mundë të të njëjtat programe për studentët. Nuk ka fare konkurrencë. Tani duhet përmirësuar disiplina. Kosova duhet të ndërtojë një strategji të arsimit në përgjithësi, që është e përshtatshme me mjedisin social dhe ekonomik. Veçanërisht në fushën e arsimit të lartë, ku duhet të ofrohen studime cilësore e jo thjesht diploma. Si vend që synon t’i bashkohet familjes evropiane duhet që njëkohësisht të synohet cilësia e njëjtë e arsimit që ofrohet në këto vende.

Zëri: Rektori i Universitetit të Prishtinës tash së voni u kritikua për shkak të insistimit në kritere strikte për promovimin e personelit akademik. A mendoni se është realiste të prisni që akademikët botohen pastaj në revista shkencore?

Viets: Siç e ceka më lart, kërkimet dhe shkenca janë një sfidë për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Por, pavarësisht kësaj ka hulumtues dhe profesorë nga Kosova që jo vetëm publikojnë në revista ndërkombëtare, por janë shumë kompetentë dhe një referencë serioze në botën e shkencës.

Zëri: Duket sikur ka mospajtime të mëdha ndërmjet rektorit dhe Senatit rreth politikave të promovimit. A mendoni se dy palët do të gjejnë një gjuhë të përbashkët?

Viets:Jam në dijeni të mospajtimeve brenda Universitetit, pasi që mediet kanë raportuar rreth tyre. Mendoj se duhet të jetë e mundur për të gjetur zgjidhje. Duke përdorur gjuhën e ligjit, duke u kujdesur që të mos shkelet ligji dhe duke përdorur mekanizmat legalë të të gjitha institucioneve që kanë për detyrë të mbështesin veprimtarinë legale të Universitetit, besoj se mund të gjendet një zgjidhje dhe shpresoj që kjo të ndodhë shpejt dhe mbi bazë të meritokracisë. Vetëm duke përcaktuar dhe përmbushur synimet për standarde të larta të cilësisë, Kosova mund të prosperojë dhe të zhvillohet.

Zëri: Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk është anëtare e Procesit të Bolonjës. A mendoni që ky fakt ndikon në performancën e sistemit të arsimit të lartë?

Viets: Gjatë Konferencës së Përbashkët në Gjermani është vendosur që duke filluar nga viti i ardhshëm do të bëhet një vlerësim në lidhje me kriteret dhe cilësinë edhe në vendet që nuk janë pjesë e Procesit të Bolonjës.Ndoshta institucionet lokale nuk kanë pasur një standard për matjen e performancës së sistemit të arsimit të lartë. Por, Kosova ka implementuar sistemin e Bolonjës madje para se të zbatohej në shumë vende tjera të Evropës. Cilësia bazohet në punën që bën, në atë që ofron, në përkushtimin dhe performancën personale. Kështu që anëtarësimi në Procesin e Bolonjës nuk mund të jetë faktori kryesor apo faktori ndikues që përcakton cilësinë. Jam shumë e sigurt që shumë pyetje të statusit do të sqaroheshin më lehtë kur e bëni veten tërheqës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme