Google ADS

‘Vidhen’ nxënësit që dërgohen në Brezovicë

11:35 | 28 Janar 2016
Arbresh.info

Deri në fund të vitit 2015 nxënësit e shkollave të Prishtinës në sezonin dimëror shfrytëzonin shtatë ditë ku me organizim të shkollës dhe me lejën e Drejtorisë së Arsimit në komunën e Prishtinës shkonin në shkollën e skijimit ‘Kameni Dom’ ose ‘Shtëpia e Gurit’ në Brezovicë. Mirëpo, këto shëtitje të nxënësve u ndalën në fund të vitit 2015 pasi që Drejtoria e Arsimit në komunën e Prishtinës gjeti keqpërdorime që janë bërë nga ata që organizonin këtë shëtitje.

Portali arbresh.info pati raportuar për keqpërdorime të shumta që janë bërë në këtë shkollë e cila është nën menaxhimin e kompanisë ‘Sport Marketing’ të komunës së Prishtinës. Të hollat që paguanin nxënësit për të shkuar në këtë shkollë, shumica prej tyre u ipeshin si mëditje drejtorëve të shkollave e arsimtarëve që sillnin nxënësit. E një gjë e tillë është e paligjshme.

Për një gjë të tillë drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës pati thënë për portalin arbresh.info se i kanë ndaluar këto marrëveshje dhe më nuk do të lejohen nxënësit të shkojnë.

Mirëpo si duket ky ndalim nuk zgjati shumë pasi që një grup i nxënësve të shkollës fillore ‘Xhemail Mustafa’ në Prishtinë të premtën e kaluar janë organizuar dhe së bashku me arsimtarin e lëndës Edukata Fizike kanë shkuar.

Një vizitë që i bëri ekipi i portalit arbresh.info kësaj shkolle, nuk u prit edhe aq mirë. Drejtoresha e kësaj shkolle Shpresa Shala lidhur me këtë vizitë të nxënësve ka thënë se nuk ka marr ndonjë imellë zyrtare me shkrim për këtë gjë.

“As nuk më kanë njoftuar e as nuk kam marr ndonjë imellë me shkrim. Vetëm e di që kanë ardhur nga komuna dhe kanë prezantuar programin e asaj shkolle të skijimit e pastaj nxënësit me arsimtarin e edukatës fizike janë organizuar dhe kanë shkuar”, ka thënë ajo duke shtuar se arsimtarin e zëvendëson një student që është duke bërë master.

Mirëpo zëvendësi i kësaj shkolle i cili nuk tregoi emrin nuk ishte edhe aq i mirë në përgjigjet e tij lidhur me këtë temë. Ai iu drejtua ekipit të portalit Arbresh.info që të mos merret me këtë temë pasi që sipas tij është shumë e ulët dhe nuk është hulumtuese duke fyer edhe fotoreporterin që të mos i bënte fotografi nga jashtë objektit të shkollës.


Në anën tjetër në përgjigjen me shkrim drejtuar portalit Arbresh.info nga Drejtoria e Arsimit në komunën e Prishtinës thuhet se Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka dhënë pëlqim për prezantimin e organizimit të shkollës së skijimit ku kjo nuk nënkupton organizimin në nivel shkolle por vetëm të prezanitimi të projektit të tyre ne ambientet e shkolles.

“DKA, ka theksuar se: aktivitetet e organizimit, nuk mund të bëhen përmes shkollave, ajo duhet të jetë vetëm një prezantim i ofertës publike, gjithmonë duke respektuar në përpikëri, të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore gjatë organizimit dhe mbarëvajtjes së aktivitetit tuaj. Nxënësit e ShFMU “Xhemail Mustafa” – Prishtinë, nuk kanë shkuar me organizim të shkolles.  Realizimi i vizitës së nxënësve në menyre individuale apo grupore (pa organizimin e shkolles) është e drejtë dhe përgjegjësi e prinderve. Për këto lloje të organizimit DKA-ja dhe shkolla nuk mbajnë përgjegjësi sepse është jashtë kompetencave ligjore të institucionit public”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Një gjë e tillë nuk mbaroi me kaq. Në vizitën e ekipit të portalit arbresh.info në shkollën e skijimit ‘Kameni Dom’ në Brezovic, kryetari i bordit të kompanisë ‘Sport Marketing’ që menaxhon këtë shkollë, Ymer Rama ka thënë për arbresh.info se ka ardhur një grup i nxënësve nga kjo shkollë dhe se janë shumë të diciplinueshëm.

“Kanë ardhur disa nxënës të shkollës fillore ‘Xhemail Mustafa’ dhe e kanë hapur për vitin 2016 këtë shkollë. Më herët kemi pasur problem pasi që komuna nuk jepte leje të vinin nxënësit e shkollave këtu. Kështu tani kanë filluar nxënësit të vijnë. Ne si kompani nuk mund ta lejojmë këtë motel që sivjet të mbetet thatë dhe të mos vijnë nxënësit sepse të gjitha përgatitjet i kemi bërë. Dhe këtë e kemi bërë me vite dhe kjo do të vazhdoj prapë. Pëlqimi i komunës ka qenë pëlqim i përafërt me atë paraprak. Ne i dërgojmë reklamat pastaj vetë nxënësit marrin iniciativë të vijnë dhe organizohen. Ka shumë të interesuar dhe ka nxënës që vijnë nga një shkollë me dy tre grupe. Ne nuk duhet t’i stopojmë këto për hatër të fëmijëve”, ka thënë ai.

Ai ishte edhe në dijeni për keqpërdorimet që më herët janë bërë por sipas Ramës këto nuk cilësohen keqpërdorime mirëpo stimulime për punën e drejtorëve që t’i sjellin nxënësit dhe t’i mbikëqyrin.

“Nuk pajtohem kur thonë se ka pasur keqpërdorime. Këtu që nga mbas lufta Ismet Beqiri ka qenë drejtor i kësaj kompanie. Kur ka hyrë kjo në sistem e këtë nuk e ka bërë Ismeti por është bërë në qeverisjen e tij. Ajo nuk është keqpërdorur por për të mbikëqyrur nxënësit në atë kohë ka qënë më e mira mbikëqyrja e drejtorit të shkollës që vinte. Kështu që është dashur të stimulohen harxhimet e drejtorit që vie dy apo tri herë në vizitë, që të ketë kujdes ndaj fëmijëve”, ka thënë ai duke shtuar se edhe pse drejtori i një shkollë merr pagë nga shkolla ai nuk e ka për detyrë të vijë sepse kjo nuk është shkollë e shkollës së tij por është shkollë e sportit.

Rama thotë se nuk është i informuar saktë sa paskan qenë ato keqpërdorime mirëpo shton se po bëhen keqpërdorime në miliona e këto sipas tij nuk janë asgjë.

“Edhe pse Drejtoria e Arsimit jep leje një shkollë që të shkojë e së bashku me të edhe drejtori mendoj që drejtori duhet të paguhet ose stimulohet. Nuk i shoh unë këto keqpëqrdorime pasi që njerëzit kanë keqpërdorur nga deri në 30 milion e si kanë quajtur ashtu e këto t’i quajmë keqpërdorime. Shembull një shkollë i bie 100 nxënës dhe ai drejtor i mbikëqyr dhe vie në harxhimet e tij atëher duhet  të stimulohet sepse ai nuk mund të vijë pa e bërë këtë. Unë nuk e di sa ka qenë ai keqpërdorim a 100, 150 ose sa krejt varet nga këvizja e tyre por prapë si kryetar bordi atë nuk e shoh keqpërdorim”, është shprehur ai për portalin Arbresh.info.

DSC_0849

Ndërsa në anën tjetër Besnik Muqolli arsimtari i lëndës Edukata Fizike në shkollën ‘Xhemail Mustafa’, thotë se kanë ardhur në këtë shkollë me 52 nxënës dhe kjo është parapar me planprogram në fillim të vitit.

“Me planprogram kemi parapë që fëmijët do të jenë në skijim ta mësojnë kursin  e skijimit për shtatë ditë. Fatkeqësisht pasi që nuk kemi mundur t’i sjellim të gjithë fëmijët e shkollës kemi ardhur me një numër shumë të vogël, 52 nxënës ku të gjithë kanë mësuar të skijojnë. Besoj që edhe të tjerët duhet ta ndjekun rrugën tonë t’i sjellin të gjithë fëmijët këtu sepse duhet ta mësojnë skijimin”, ka theksuar ai për Arbresh.info.

I pyetur përse drejtoresha e kësaj shkolle thotë se nuk është pjesë e kësaj marrëveshje, Muqolli thekson se ajo nuk është prononcuar drejt.

“Në momentin që më ka ftuar kompania ‘Ski Marketing’ të vëjmë shpallejn në shkollë për antarësimin e nxënësve që të vijnë këtu, ajo e ka pasur njohurinë. Ajo e ka një kopje të asaj marrëveshje drejtori komunale me drejtorinë e ‘Ski Marketingu’ pasi që unë e kam pasur një kopje të tillë dhe e kam dorëzuar tek drejtoresha e shkollës sime dhe ka qëndruar shtatë ditë shpallja. Ajo ka gabuar që ka thënë nuk jam e njoftuar sepse ajo ka një kopje të tillë. Në momentin që shkolla jonë e ka organizuar këtë ajo është në këtë ekip të marrëveshjes, pasi që ajo ka qenë t’i vizitoj nxënësit”, ka thënë ai.

DSC_0139

Muqolli tregon se nxënësit kanë paguar 172 euro ku nga ajo shumë 165 euro i kanë dhënë për pansionin shtatë ditor kurse 7 euro kanë paguar transportin e poashtu 1 euro kanë paguar taksën e turizmit  me të hyrë në Malet e Sharrit.

“Disa nga nxënësit i japin parat në xhirollogari e të tjerët ia japin arsimtares për arsye që të kursejnë një euro. Nëse një nxënës lëndohet unë e marr përgjegjësinë sepse 24 orë jam me ta. Jemi tre instruktora skijimi, dy arsimtarë nga ajo shkollë dhe një arsimtar nga një shkollë tjetër dhe neve na zëvendësojnë studentët që vijnë çdoherë në shkolla. Mua po më vie keq që drejtoresha i ka ikur marrëveshjes”, ka theksuar ai për arbresh.info.

Poashtu ai thotë se përgjigja e Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë është e gabuar sepse sipas tij është nënshkruar marrëveshja drejtori e arsimit, drejtori e Ski Marketingut dhe plotë 20 vite ka që shkojnë në atë shkollë.

Pavarësisht se Rama tregoi edhe për kushtet në shkollën e skijimit në Brecovicë ku tha se nuk janë bërë investime nga themeli por ka investime të brendshme si në inventar e shteretër një gjë e tillë nuk dukej edhe aq shumë sepse të gjitha gjërat ishin të vjetra duke filluar nga kuzhina./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme