Vazhdon regjistrimi në shkollat publike të kryeqytetit

14:16 | 27 Maj 2018
Arbresh.info

Procesi i regjistrimit të nxënëseve për klasat e para për vitin shkollor 2018/2019 tashmë ka filluar në të gjitha shkollat e ciklit të ulët në Kosovë.

Edhe pse ende nuk dihet numri i saktë i nxënësve që do të regjistrohen në Prishtinë, zyrtarë komunalë thonë së për vit shkollor pritet të regjistrohen rreth 3 mijë e 500 fëmijë.

Ardiana Ismaili, zyrtare e lartë për arsim në Komunën e Prishtinës, tha për Radio Kosovën se shkollat publike të kryeqytetit kanë hapësirë të mjaftueshme për të gjithë fëmijët që do të regjistrohen në klasën e parë.

Konkursi për pranimin e nxënësve në klasë të parë është rregulluar me udhëzim administrativ, d.m.th. ka filluar me 17 maj dhe përfundon me 7 qershor. Për këtë vit shkollor në Komunën e Prishtinës pritet që në klasën e parë të regjistrohen 3 mijë 436 nxënës.

Drejtoresha e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët ”Faik Konica”, Xhylie Bala, tha se interesimi i prindërve për regjistrimin e fëmijëve në këtë shkollë është shumë i madh, pasi që shkolla është në qendër të qytetit.

Në këtë vit shkollor kemi planifikuar t’i regjistrojmë 150 nxënës. Do t’i formojmë 5 paralele. Kërkesat janë jashtëzakonisht të mëdha,dhe duhet cekur se kemi kërkesa edhe nga fëmijët me nevoja të veçanta. Ata nxënës sistemohen nëpër paralele, dhe kur ka në një klasë fëmijë me nevoja të veçanta numri i nxënësve duhet të jetë më i vogël për ta zhvilluar procesin siç duhet.

Dokumentet e nevojshme për regjistrim janë certifikata e lindjes nga libri amë dhe vërtetimi për marrjen e vaksinimit të fëmijës. Ndryshe, regjistrimi në klasë të parë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që kanë arritur moshën 6 vjeçare./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme