Në mungesë të mjeteve financiare Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” që dy vite nuk po shpërndan bursa universitare për studentët e dalluar të masterit. Njëjtë si vitin e kaluar edhe këtë vit bursë do marrin vetëm studentët e bachelorit.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, nga kategoria ekonomike e “subvencioneve dhe transfereve”, ndanë bursa universitare për studentë, bënë pagesat e publikimeve të punimeve shkencore që bëhen nga ana e stafit akademik në revista të ndryshme shkencore ndërkombëtare, gjithashtu ndanë mjete edhe për studime të doktoratës, projekte shkencore të stafit akademik, projekte të hulumtimeve shkencore, mobilitete të stafit akademik jashtë vendit.
Vendimin për ndarjen e bursave e merr Keshilli Drejtues i UP-se dhe ata vendosin për nivelin e bursës universitare, varësisht nga numri i studenteve që i plotësojnë kushte e përcaktuara në Rregullore dhe buxheti i UP-se.
Ky këshill kishte sjellë vendim para dy vite që bursa të mos u jepen më studentëve të niveleve tjera, pos atyre bachelor./Gazeta Fjala/.
Deri para dy viteve studentët mastër kanë marrë nga UP bursa në vlerë prej 1000 deri në 1200 euro.
Mosdhënia e bursave për studime master, po konsiderohet e padrejtë nga studentët e këtij niveli, ata thonë që studimet postdiplomike kërkojnë më shumë mbështetje për hulumtime shkencore, kështu që bursa do ishte lehtësim për shpenzimet që iu krijohen.
Erzen Krasniqi, i cili vijon studimet master në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, ka thënë për Gazetën Fjala se atyre iu është bërë padrejtësi duke i larguar nga bursa, sipas tij ata janë munduar shumë për të arritur rezultate të mira, dhe do ishte mirë që të shpërblehen.
“Unë së bashku me dy koleg i kemi plotësuar kushtet për përfitimin e bursës, mirëpo ashtu sikurse vitin e kaluar edhe ketë vit për nivelin e studimeve master nuk po ndahen bursa, sigurisht duke i marr parasysh vështirësitë për t’i arritur këto rezultate, ky vendim është tejet dëshpëruese”, ka thënë ai.
Edhe E. Ademi studente në UP, mendon që vendimi për mos ndarjen e bursave për këtë nivel studimeve është diskriminues.
“Mendoj që është shumë e padrejtë që një student i masteri të diskriminohet në këtë mënyrë, përderisa dihet që studimet master kërkojnë më shumë angazhim, hulumtime shkencore, harxhime të buxhetit të cilat shpesh herë janë të papërballueshme për studentët”, ka thënë ajo.
Prorektori për buxhet dhe Financa në Universitetin e Prishtinës, Arbnor Pajaziti, ka treguar për Gazeta Fjala se rregullorja e cila është në fuqi parasheh që bursat universitare te ndahen vetëm për studentët e dalluar të nivelit bachelor jo edhe për ata master.
Rregullorja ka pësuar ndryshime si rezultati i një vendimi që qeveria e morri për përgjysmimin e detyrimeve të studentëve.
“Mjete financiare nuk kemi mjaftueshëm, pasi që vjen si rrjedhojë e Vendimit të Qeverisë për uljen e pagesave të studentëve për 50 për qind”, ka thënë Pajaziti.
Në anën tjetër Jonuz Salihaj, njohës i çështjeve arsimore, tha së shteti i Kosovës ka nevojë për punime shkencore dhe për shkencëtarë të ri, kështu që bursat janë një stimulim për studentët që të merren me hulumtime shkencore.
“Çdo shtet me politika të mençura duhet ti stimuloj studentët e mirë me bursa dhe këta t’i kontribuojnë shkencës”, ka thënë ai.
Sipas Salihajt arsyetimi që UP-ja nuk ka para s’vlen, ata duhet të gjejnë një mënyrë për të ndarë bursa dhe t’ia lehtësojnë studimet studentëve.
“Nëse ka për bachelor duhet të ketë edhe për master, ose ti ndajë në mënyrë homogjene”, ka përfunduar ai.
Edhe Dokelat Kollari nga Këshilli i Studentëve, mendon qw shteti duhet tw bwjw mw shumw pwr studentwt e vet, ai gjithashtu ka treguar së para disa ditesh kanë bërë kërkesë që të shpallet konkursi për bursat e studentëve të nivelit master.
“Sinqerisht është për vajtim fakti se përderisa USAID nëpërmjet projekteve të ndryshme i ndihmon studentet nga Kosova me anë të bursave që të regjistrohen për studime master ne ShBA, ndërkohe që vendi ynë po tregon se nuk ka gatishmëri për te i mbështetur arritjet e studenteve te nivelit të studimeve master”, ka thënë ai për Gazetën Fjala.
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...
Fillon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me...
Rutte flet me Erdoganin për situatën e sigurisë në Kosovë
Vera e ardhshme pritet ta gjej në skuadër të re Fisnik Aslla...