Google ADS

Universiteti Veror, përgatitjet në fazën finale

13:05 | 28 Qershor 2015
Arbresh.info

Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës do të fillojë më 1 korrik, i cili do të mbledhë rreth 300 studentë nga vendi dhe të huaj.

Drejtues të Universitetit Veror, thonë se ky universitet po i arrin qëllimet e tij, që janë ndërkombëtarizimi dhe krijimi i urave të miqësisë mes profesorëve e studentëve.

Përgatitjet për fillimin e edicioni të 15-të të Universitetit Veror të Prishtinës, janë në fazën finale, i cili do të hapet më 1 korrik dhe do të të zgjasë deri më datë 15. Lumije Bajrami, drejtore e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë në Universitetin e Prishtinës, tha për Radio Kosovën, se këtë vit rreth 300 studentë të vendit dhe të huaj, do të kenë mundësi të ndjekin 13 kurse të fushave të ndryshme.

“Tashmë është rregull i njohur që në secilin kurs ligjëron një profesor vendor dhe një i huaj. Kurset zhvillohen në gjuhën angleze. Edhe këtë vit jemi munduar që të mbulojmë të gjitha njësitë akademike dhe në bazë ofertës që kemi pasur nga profesorët, jemi munduar që t’i mbulojmë kërkesat e studentëve. Kemi kurse nga ekonomia, shkencat e natyrës, diplomaci, filologji. Pra, janë mbuluar të gjitha fushat”, tha Bajrami.

Bajrami, theksoi se Universiteti Veror i Prishtinës, është një nga projektet më të mëdha për ndërkombëtarizim, ku studentët përveç përfitimit që kanë në aspektin akademik, krijojnë ura miqësie, zgjerohet bashkëpunimi në mes të profesorëve tanë dhe atyre të huaj.

“Gjatë edicioneve të fundit jemi munduar të sjellim profesorë nga vendet që kanë më pak njohuri për Kosovën. Jemi munduar që të kemi bashkëpunim me vendet që nuk e kanë njohur shtetin tonë”, tha ajo.

Studentët pjesëmarrës i fitojnë nga 4 kredi, të cilat mund t’i transferojnë në universitetet e tyre ku janë duke studiuar. Studentët e Universitetit Veror, përveç ligjëratave do të ndjekin edhe disa forume, punëtori dhe vizita të ndryshme nëpër Kosovë. Universiteti Veror është mbështetur nga Ministria e Arsimit, Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe disa kompani vendore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme