Google ADS

Universiteti i Zagrebit, i hapur për studentë nga Kosova

14:03 | 24 Qershor 2016
Arbresh.info

Anëtarët e  Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji në Kuvendin e Kosovës kanë pritur  sot rektorin e Universitetit të Zagrebit, Damir Boras.

Gjatë takimit, i cili u zhvillua në një atmosferë miqësore, është biseduar për bashkëpunimin e deritashëm, si dhe mundësitë e një bashkëpunimi edhe në të ngushtë në të ardhmen.

Kryetari i Komisionit Hasani, fillimisht e falënderoi rektorin e Universitetit të Zagrebit Boras, për ndihmën e deritashme, ndërkaq, vuri në pah nevojën e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë në të ardhmen.

Hasni, po ashtu vuri në spikamë bashkëpunimin e mëhershëm ndërmjet universiteteve përkatëse, me theks të veçantë atë të paraluftës.  Lidhur me këtë, ai solli në kujtesë shumë nga studentët shqiptarë të këtij Universiteti, të cilët pas mbarimit të studimeve atje, i janë bashkangjitur luftës çlirimtare, duke mos kursyer as jetën.

“Për këtë, dhe gatishmërinë e shprehur që të na ndihmoni edhe në të ardhmen, përjetësisht iu jemi mirënjohës”, tha kryetari i Komisionit, Hasani.

Për ndihmën e ofruar nga Universiteti i Zagrebit, Universitetit të Prishtinës, Boras është falënderuar edhe nga anëtarët e tjerë të komisionit. Ata  vlerësuan se bashkëpunimi është nevojë imediate, në mënyrë  që studentët e universiteteve përkatëse të ndajnë vlerat dhe të këmbejnë dijen e tyre, për t’iu bashkëngjitur familjes evropiane.

Rektori i Universitetit të Zagrebit, Damir Boras, ndërkaq, pasi falënderoi anëtarët e komisionit për pritjen e ngrohtë që i ofruan, i siguroi ata se bashkëpunimi ndërmjet dy universiteteve, si dhe bashkëpunimi në të gjitha fushat e arsimit, në të ardhmen,  do të realizohet me një intensitet edhe më të madh.

‘‘Jemi të hapur që studentët kosovarë të vijnë dhe të studiojnë në Universitetin e Zagrebit, në mënyrë që të kem mundësi të ndajmë vlerat që kemi në zemër- vlerat evropiane’’, tha  Rektori i  Universitetit të Zagrebit, Damir Boras.

Me këtë rast, në fund të takimit, në shenjë miqësie, janë këmbyer edhe dhurata.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme