Google ADS

Universiteti i Prishtinës, larg Harwardit

11:52 | 19 Maj 2016
Arbresh.info

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” mbetet ende larg cilësisë së Harwardit.

Kështu u tha në Konferencën ndërkombëtare “Rruga përpara – Roli i komunitetit akademik dhe hulumtues në zhvillimet e politikave dhe në vendimmarrjen e bazuar në evidencë”,organizuar nga Qendra për Kurajo Politike (CPC), e që si qëllim ka reflektimin lidhur me rrugën përpara dhe për sigurimin e vazhdimit të dialogimit ndërmjet institucioneve të përfshira dhe palët e interesit.

Anita Schluchter Roth, nga ambasada e Zvicrës në Kosovë tha se është e rëndësishme që të vazhdohet me punë serioze në fushën e hulumtimit, duke ditur problemet me të cilat ballafaqohet sistemi arsimor në Kosovë. Ajo tha se e di që ka njerëz shumë të përkushtuar që punojnë dhe për këtë çështje do ta kenë përkrahjen e tyre.

“Hulumtimi i komunitetit shkencor ë shtë shumë i rëndësishëm, në zhvillimin ekonomik dhe social. Arsyeja e dytë pse e përkrahim këtë është sepse e dimë se sa e vështirë ishte pozita në pikënisje këtu në Kosovë. Sepse Kosova e pati në fund të viteve 90 të shkatërruar sistemin arsimor dhe fatkeqësisht sot e kësaj dite i shohim gjithë ato probleme, kur shikojmë sistemin arsimor. Shikojmë shkollat fillore, shkollat profesionale, universitetet ka këtu mjaftë çështje të cilësisë së hulumtimit, mungesë fondesh kundrejt vendeve të tjera. E shohim se fondet janë shumë të ulëta. Kjo detyrimisht vjen edhe nga trashëgimia shumë e vështirë nga dekadat e mëparshme, mirëpo edhe nga mungesa e vëmendjes që i është kushtuar këtyre sektorëve viteve të fundit ”, tha Roth.

Faton Berisha, nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” tha se ka hapësirë të madhe për ndryshim dhe ngritje të kualitetit. Ndërsa pranoi që është rrugë e gjatë që duhet bëjë Kosova, për të arritur në nivelin e Harwardit.

“Kemi parasysh që UP është në situatë delikate dhe ndihma nga opinioni publik është tepër e nevojshme në këtë moment tash. Po e përmend rezistencat që presim. Kemi nga dy ekstreme. Njëra është pikë vështrimi radikal, i cili thotë se UP duhet të jetë në nivel të universitetit të Harwardit. Harward-i në Kosovë mbase është një e ardhme shumë e largët. Për momentin kjo është më e mira që kemi. Në anën tjetër është pikë vështrimi oportunist, që përafërsisht thotë se nuk ka nevojë të ndryshohet gjendja ekzistuese. Jemi më kompetent në botë për vlerësimin e çështjeve tona. Rruga që po mendojmë ta ndjekim ne, është një rrugë e mundur, e që na çon përpara”, tha Berisha.

Ndërsa profesor Remzi Ismajli thotë se në Kosovë ekziston një mur në mes të shk encës dhe politikbërjes në Kosovë.

“Unë mendoj se ekziston ndarja apo thjesht një mur në mes të hulumtimeve shkencore, në mes të shkencës dhe vendimmarrjes, respektivisht politikbërjes në Kosovë. Për arsye se ka hulumtime shkencore në Kosovë, ka hulumtues shkencor mjaft shumë. Madje edhe të Kosovës që studiojnë jashtë vendit dhe se hulumtimet dhe punimet e tyre, nuk arrijnë që të jenë pjesë e vendimmarrjeve apo pjesë e jetës sonë në përgjithësi në Kosovë….Hapja e një muri në mes të hulumtimeve shkencore, shkencës dhe vendimmarrjes politike është jo vetëm një mundësi, por rrugë e vetme që në njëfarë forme rezultate dhe arritjet në Kosovë të jenë me të mëdha”, tha Ismajli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme