Testi 9-vjeçar: Nxënësit “flasin” anglishten më mirë se shqipen

14:25 | 8 Qershor 2015
Arbresh.info

Gjuha Angleze dhe Informatika janë lëndët ku nxënësit e klasave të nënta në Kosovë kanë shkëlqyer përkundër lëndëve të tjera në Testin e Arritshmërisë.

Sipas rezultateve të testit të mbajtur më 22 maj, publikuar sot nga Ministria e Arsimit, përqindja më e lartë e arritshmërisë është në Gjuhën Angleze me 85.8 për qind, raporton kallxo.com.

Ndërsa, në Gjuhën Shqipe arritshmëria është vetëm 63,9 për qind. Ky rezultat shënon një hendek të madh mes mësimit të të dyja gjuhëve, ku ajo me përqindje më të dobët arritshmërie është ajo amtare.

Informatika është lënda e dytë me arritshmërinë më të madhe, në të cilën 72,6 për qind e nxënësve kaluan pragun.

Lëndët e tjera shënojnë të gjitha më poshtë. Arritshmëria sipas secilës shënon në Histori 65 për qind, në Gjeografi 57,6 për qind, në Matematikë 63,8 për qind, në Fizikë 48,2 për qind, në Kimi 57,9 për qind dhe në Biologji 60,1 për qind.

Të dhënat u bënë të ditura gjatë konferencës së sotme për media, në të cilën Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) publikoi rezultatet e Testit të Arritshmërisë për Klasat e Nënta.

Rezultatet tepër të larta në Anglisht dhe Teknologji, nuk duan të thonë domosdoshmërisht që nxënësit kanë mësuar më shumë në këto lëndë.

Të dyja lëndët në fjalë lidhen ngushtë me përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe janë parakusht për lundrim në internet dhe përdorim të telefonave inteligjentë.

Sipas një vrojtimi të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNICEF-i në mars 2015, rreth 96 për qind e meshkujve kosovarë të moshave ndërmjet 15 dhe 24 vjeç, dhe rreth 95 për qind e femrave kosovare të kësaj moshe kanë shfrytëzuar internetin gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit.

Sipas të njëjtës anketë, rezulton se femrat kosovare e përdorin më shumë kompjuterin (94%) sesa meshkujt (93%).

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme