Ankesat e qytetarëve për tekstet e historisë në Kosovë nga ky vit shkollor kanë marrë fund.
Kjo pasi të gjitha tekstet e historisë janë rishikuar në kuadër të rishikimit të të gjitha teksteve që i ka bërë Ministria e Arsimit gjatë këtij viti kalendarik.
Zëvendësministrja e Arsimit, Anila Statovci-Demaj, ka thënë në një intervistë për Kosovapress se librat e historisë janë pastruar nga termat fyes apo urrejtës.
“Në kuadër të këtij rishikimi natyrisht janë rishikuar edhe tekstet e historisë, ju e dini se sa shumë debate rreth asaj që më tepër ka pasur një periudhë, ka pasur kërkesa të veçanta për tregimin e pjesës së periudhës së Perandorisë Osmane, këto kanë qenë të përpunuara vite më parë, janë ekspertet tanë, grupi i ekspertëve i cili i ka rishikuar ato, një pjesë të kërkesave të cilat i kanë pasur janë miratuar si të pranueshme, posaçërisht ka pasur kujdes që të mos ketë gjuhë të fyerjes, gjuhë që ngjallë urrejtje, që mund të ngjall emocione të këqija të [panevojshme për gjeneratën e re e cila do të filloj jetën me një pikëpamje krejt të re, krejt moderne për botën dhe të mos i krijojmë apriori parakushte që të rritet me urrejtje dhe kjo ka qenë parimi kryesor”, tha Statovci-Demaj.
Zëvendësministrja Statovci ka theksuar se edhe librat që janë rishikuar tani e edhe librat e rinj që do të hartohen me rishikimin e planprogrameve të reja, si bazë do ta kenë parimin faktues.
“Parimi kryesor është parimi faktual, i argumentimi në bazë të fakteve, faktet nuk mund të mohohen, mund të plasohen në mënyrë neutrale, mund të tregohen në mënyrë neutrale por jo duke i shtuar ndajshtesat që mund të ngjallin emocione negative, pra aty nuk është qëllimi. Prandaj për vitet e ardhshme, për tekstet e reja të historisë do t’i përmbahemi këtyre kritereve një për një dhe siç thash deri më tash kemi pasur kujdes që t’i eliminojmë rastet e tilla për fjalë që mund të kenë cilësuar në mënyrë fyese një perandori ose një personalitet ato janë eliminuar deh ndoshta faktet kanë mbetur ashtu siç janë, ashtu si kanë vlerësuar ekspertët tanë, për këtë kemi pas do me thënë gjatë debateve nga palët tjera që kanë kërkuar këto ndryshime janë eliminuar të gjitha ato ndryshime në tekstet e reja janë pastruar nga ato”, është shprehur zëvendësministrja Statovci-Demaj.
Por, Statovci është shprehur se në tekstet e reja të historisë, më shumë hapësirë do të duhet t’i kushtohet historisë së re të Kosovës pasi sipas saj, “ askush tjetër nuk mund ta shkruaj atë më mirë se sa vet ne”.
“Një element tjetër shtesë që do të inkorporohet edhe për tekstet e reja shkollore është që historinë e popullit tonë të kësaj epokës së re moderne mendoj se duhet ta kemi më të theksuar meqenëse në njëfarë mënyre jemi të vetmit të cilët mund ta shkruajmë këtë pjesë tonë të historisë dhe kjo do të jetë gjithashtu një prej kritereve për teksteve e reja shkollore”, ka deklaruar Statovci.
Megjithatë, ankesat e kahershme të qytetarëve, prindërve etj. se në librat e historisë nuk paraqitet fare komandanti legjendar i UÇK-së Adem Jashari dhe familja e tij, Statovci i ka demantuar duke thënë se Adem Jashari madje paraqitet me fotografi në librin e historisë së klasës së V-të.
Mirëpo, Statovci është shprehur se heroi Adem Jashari dhe familja e tij paraqiten varësisht prej planprogramit në cilin kapitull apo në cilën klasë, duke e pas parasysh edhe moshën e nxënësve.
“Posaçërisht për familjen e Adem Jasharit, aty jam e bindur e di vetë kam punuar personalisht me atë pjesë, Adem Jashari është bile me fotografi në historinë e klasës së V-ë ku mësohet për atë periudhën moderne dhe nuk qëndron fare e as nuk ka qëndruar fakti që nuk është përmendur. Aty janë, tash se cili kapitull në cilën klasë do bie ajo varet pastaj nga planprogrami i caktuar, por klasa e V-të i ka të gjitha këto elemente. Në anën tjetër tekstet e historisë edhe publiku duhet ta ketë parasysh që po flasim për historinë e klasë së pestë, niveli i nxënësve të klasës së pestë dhe jo niveli i studiuesve të historisë ku mund të shkruhen detaje të shumta në farkëtimin e situatave, të fakteve që kanë ndodhur për çfarë arsye, çfarë pasoja etj. E rëndësishme për klasën e V-të është që t’iu prezantohen faktet në mënyrën sa më të thjeshtë të mundshme”, ka deklaruar Statovci.
Zëvendësministrja e Arsimit, ka thënë se sa i përket rishikimit të teksteve të kësaj natyre kanë pasur edhe bashkëpunimin e plotë të autorëve të teksteve, pasi vet autorët kanë qenë ata të cilët i kanë rishikuar tekstet e tyre.
Andaj, Statovci i ka falënderuar publikisht për bashkëpunimin, siç ka thënë ajo që e kanë treguar në këtë drejtim.
Reshje bore rekord në Seul/ Fluturime të anuluara dhe mijëra...
Sulmohet stacioni policor në Zveçan, hidhen dy granata dore
Përgjatë 24 orëve shqiptohen mbi 2 mijë gjoba trafiku
Kryeministri britanik: Armëpushimi në Liban do të jetë lehtë...
Gjesti eskalon nga xhelozia, hedh në pishinë Xhenetën e Vull...
Posedim i substancave narkotike, njërit nga të dyshuarit i s...