Rregulloret parashikojnë dënime për studentët me përjashtim nga fakulteti nga tre muaj deri në dy vjet. Ndërkohë, shqetësuese mbetet mungesa e përkushtimit të studentëve për dije.
Studentët që kopjojnë më shumë gjatë provimeve janë kryesisht nga ato fakultete që kanë sallat e stërmbushura. Kjo dukuri vazhdon të jetë e pranishme në të gjitha universitetet, ku studentët përdorin metoda të ndryshme për të kopjuar.
Ekspertët thonë se, përveç mungesës së kritereve dhe monitorimit më rigoroz nga profesorët, kjo tregon edhe mungesën e përkushtimit të studentëve për dije.
Sipas një anketimi të kryer nga instituti “EdGuard”, rezulton se rreth 27% e studentëve pranojnë se një numër i madh i tyre kopjojnë.
Drejtori i këtij instituti, Rinor Qehaja, tha për Radio Kosovën se problemi i kësaj dukurie vjen si rezultat i mos ndëshkueshmërisë së studentëve që kopjojnë.
“Deri sa nuk kemi masa të mirëfillta të ndëshkimit të keqpërdoruesve, kjo dukuri do të vazhdojë si e tillë. Pra, një jo seriozitet dhe një jo vullnet i mirë nga UP-ja, ka lejuar dhe vazhdon të lejojë që të kemi prezent diçka të tillë”, tha Qehaja.
Profesorët e dekanët thonë se dukuria e kopjimit është e pranishme në fakultete, me gjithë masat që i kanë ndërmarrë për ta parandaluar.
Dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, But Dedaj, tha se është e pamundur që kjo dukuri të ndalohet tërësisht. Ai tha se ka masa disiplinore për ata që shkelin rregullat e provimit. Ai tha se janë marrë disa vendime që ndëshkojnë studentët që kopjojnë.
“Fakulteti Ekonomik në vazhdimësi i publikon vendimet në uebfaqe, të cilat i merr komisioni disiplinor. Kopjimi me telefon e forma të tilla janë shkelje e rëndë disiplinore dhe ato dënohen zakonisht deri një vit. Llogarite se çfarë rrezikon studenti, rrezikon që për një provim me humbë një vit. Studentit i merret ID, nuk ka të drejtë me tërheqë dokumentet, nuk ka të drejtë të hyjë as në provimet e tjera, pra krejt një vit është i dënuar”, Dedaj.
Ndërsa, dekani i Fakultetit të Shkencave Matematikore Natyrore, Tahir Arbneshi, tha për Radio Kosovën se nuk ka informacione që ka raste të tilla, ose nuk raportohen.
“Çështja e provimit është përgjegjësi individuale e secilit profesor. Unë mbaj përgjegjësi për lëndën time e nuk besoj që dikush mund të kopjojë, sepse në fund ai do të dalë në dërrasën e zezë për t’u përgjigjur para meje. Kështu nuk ka mundësi askush të kalojë pa ditur”, tha Tahiri.
Studentët kanë mënyra të ndryshme të bashkëpunimit për të kopjuar dhe për të shkëmbyer testet. Radio Kosova ka parë grupe në rrjetet sociale, ku publikohen testet me pyetje dhe përgjigje, të cilat janë marrë ndërkohë nga studentët gjatë mbajtjes së provimeve. Në bankat e disa fakulteteve shihen disa nga përgjigjet e testeve të mëparshme. Pastaj është edhe forma e kopjimit me telefon.
Jashtë mikrofonit të Radios, ata pranojnë se kopjojnë dhe kanë parë dukuri të tilla që ndodhin, por nuk duan të flasin, për arsye sigurie.
Sekretari i Universitetit të Prishtinës, Esad Kelmendi, tha se dukuria e kopjimit është bërë edhe më e përsosur me zhvillimin e teknologjisë. Ai bëri të ditur se ankesat kanë ardhur kryesisht nga Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Edukimit, Ekonomik dhe ai Juridik. Kelmendi tha se janë mekanizmat dhe rregulloret që merren me procedurat disiplinore ndaj studentëve kopjues.
Vizita shtetërore e Kuvendit të Shqipërisë, policia njofton ...
Rama ndan pamje nga Shëngjin-Velipojë: Një nga investimet më...
Projektligji i mbështetur nga Trump, dështon në Dhomën e Për...
Sot mbahet mbledhja e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës
Çfarë do ndodhë më 23 dhjetor? Berisha zbulon skenarin e pro...
Kosova e mbyll vitin në vendin e 99-të në renditjen e FIFA-s