Google ADS

Studentët kosovarë bëhen me Unioni Nacional të Studentëve

13:02 | 18 Prill 2016
Arbresh.info

Themelimi dhe funksionalizimi i Unionit mbështetet përmes projektit TEMPUS të financuar nga Bashkimi Evropian.

Ministria e Arsimit, ka hartuar dhe miratuar bazën ligjore për themelimin dhe funksionalizimin e Unionit të Studentëve të Kosovës, ndërsa sot u mbajt mbledhja konstituive e këtij organi. Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se themelimi i Unionit paraqet një hap të rëndësishëm për arsimin e lartë dhe për institucionalizimin e rolit të studentëve.

Ai theksoi se Ministria në bashkëpunim me organet e zgjedhura dhe partnerët zhvillimor, do të mbështesë konsolidimin e qëndrueshëm të Unionit të Studentëve, anëtarësimin e tij në mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Unionin e Studentëve të Evropës.

Ndërsa grand mbajtësi i këtij projekti, profesori i Universitetit të Austrisë, Peter Eckl (Ekël), iu bëri thirrje studentëve të cilët do të përfaqësojnë Unionin, të mos përfshihen në parti politike.

“Ju mund t’i përmirësoni gjërat për të mirë. Por, keni parasysh që ky trup nuk duhet të jetë i përfshirë në parti apo grupe politike. Ky duhet të jetë një trup i pavarur, që duhet të punojë  në mënyrë të pavarur për hir të vendit.”

Themelimi dhe funksionalizimi i Unionit të Studentëve të Kosovës mbështetet përmes projektit TEMPUS të financuar nga Bashkimi Evropian, i cili zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, universitetet në Kosovë dhe disa universitete evropiane.

Të gjithë studentët e regjistruar që vijojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, do të mund të jenë anëtarë të këtij Unioni.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme