Studentët: Kisha duhet të funksionojë vetëm si muze

13:26 | 18 Janar 2017
Arbresh.info

Disa studentë nga organizata “Demokracia Studentore” ishin mbledhur në kampusin e Universitetit të Prishtinës, përkatësisht pranë kishës ortodokse serbe, për të realizuar një aksion simbolik përmes të cilit ekspozuan fotografi të krimeve dhe masakrave të luftës, të cilat janë kryer nga kriminelët serbë gjatë luftës në Kosovë.

Megjithatë, studentët hasën në rezistencë nga Policia e Kosovës pas tentimit që ato fotografi të masakrave t’i vendosin në muret e objektit kishtar.

Mexhid Ramusa, kryetar i organizatës Demokracia Studentore, tha se është shqetësuese se si u lejuan pelegrinët serbë të mbajnë liturgji në përvjetorin e tetëmbëdhjetë të masakrës së Reçakut, në kishën e ndërtuar me dhunë nga kasapi i Ballkanit, Slobodan Millosheviq.

Ai theksoi se kjo kishë duhet të funksionojë vetëm si muze për krimet e kryera nga serbët gjatë luftës.

Ramusa: Kisha do funksionojë vetëm si muze

“Ajo çka është më shqetësuese për në është se pelegrinët serbë, në përvjetorin e 18-të të masakrave të Reçakut vijnë dhe mbajnë liturgji në kishën e ndërtuar me dhunë nga kasapi i Ballkanit Slobodan Millosheviq dhe na fyejnë popullin dhe viktimat e pafajshme të masakruara në Kosovë dhe Qeveria po hesht për këtë, nëse edhe njëherë do të mbahet çfarëdo ceremonie në këtë vend ne studentët do të veprojnë dhe organizojmë protesta të dhunshme. Kjo kishë do të funksionoj si muze për krimet e luftës të kryera nga kriminelët serbë, i bëjmë thirrje edhe gjykatës së Francës që t’i shikon kriminelët e Serbisë, të gjithë janë të lirë dhe këto fotografi ju dëshmojnë krimet në vendin e ngjarjes”, tha Ramusa.

ramusaa-180117

Artan Krasniqi, gjatë konfrontimit me Policinë e Kosovës tha se qëllimi i tyre nuk është ta dëmtojnë institucionin, prandaj kërkuan të lejohen të vazhdojnë me aktivitetin sepse sipas tij, është e drejtë e tyre përderisa nuk dëmtojnë objektin.

Krasniqi: Nuk duam të dëmtojmë objektin

“Qëllimi nuk është me e dëmtu institucionin, ne kemi ardhur me i ngjit fotografitë me e shpreh, nuk ka ndonjë qëllim me pas konfrontim me juve është mirë me na leju në këtë mënyrë qysh kemi ardhur të qetë, e kryejmë misionin tonë edhe ecim, e ju nëse i keni ndjenjat jashtë shqiptarëve është kjo mënyra më e keqe me na largu por nuk e shoh të arsyeshme, mundemi me i ngjit këto pesë minuta edhe e kryejmë planifikimin tonë që e kemi pasur, e këto urdhra që i keni mundeni me e pyet edhe Ministrin ai ua shpjegon ma mirë se është e ndaluar për juve, pa e dëmtu institucionin me na ndërpre neve”, tha Krasniqi.
Ndërsa, Milaim Nuhiu tha se Policia e Kosovës ka marrë urdhër që të pengojë aktivitetin e studentëve, pavarësisht asaj se ky aksion ishte simbolik në shenjë proteste për provokimet e serbëve. Ai shtoi se qëllimi i aktivitetit nuk ishte fetar, as dëmtues por thjesht rikujtim i masakrave mbi shqiptarët e Kosovës.

Nuhiu: Pse nuk lejohemi të mbajmë aktivitete simbolike?

“Policia e Kosovës ka marrë një vendim, ai vendim është dhënë prej dikujt sigurisht ministri i ministrisë së Mbrojtjes apo Policia e Kosovës ka marrë urdhrin direkt edhe prej qeverisë mirëpo ajo çka nuk është në rregull është sepse ne kemi ardhur këtu për të kundërshtuar provokimet që po na i bëjnë, e jo për me na provoku vetë Kosova. Përderisa lejohen pelegrinët serbë me ardh me mbajt liturgji brenda, atëherë kush jemi ne që nuk po na lejojnë që të mbajmë një aktivitet simbolik, nuk kemi as qëllime fetare as që të rrënojmë kë objekt thjesht një aktivitet me i prezantu disa masakra. Çka është shqetësuese për neve është se vetë Qeveria e Kosovës nuk po na e jep mundësinë që na ta shpalosim atë që e ka bo Serbia, realisht nuk kanë faj serbët sa ka faj vetë Qeveria e Kosovës”, tha Nuhiu.

nuhiu-180117

Aksioni simbolik sipas organizatorëve është inciuar pas provokimeve që po i bënë Serbia në Kosovë dhe priftërinjve që kanë bërë liturgji në Kishën Ortodokse Serbe, e cila gjendet në Kampusin Universitar e ndërtuar me dhunë nga Slobodan Millosheviq.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme