Studentët e UP-së kërkojnë largimin e Naser Ferrit

10:46 | 10 Qershor 2015
Arbresh.info

Studentёt e Fakultetit të Filologjisë, nga departamenti i Gjuhës Shqipe, po kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të profesorit Naser Ferri.

Këtë kërkesë ata e kanë dorëzuar edhe në Rektoratin e UP-së.

“Nisur nga gjendja e rёndё dhe kushtet shqetësuese të studimit, ne studentёt e Universitetit Publik tё Prishtinës, Departamenti Gjuhë Shqipe, shtrojmë kёtё kёrkesё, e cila vjen si reagim i pashmangshëm e rrjedhimisht i detyrueshëm në mungesё tё reagimit tё organeve pёrgjegjёse tё Dekanatit dhe Rektoratit.

Ne, studentёt e Fakultetit të Filologjisë, Departamenti Gjuhё Shqipe, kërkojmё shkarkimin e menjёhershёm tё profesorit Naser Ferri”, thuhet në kërkesë.

Sipas studentëve të shumta janë arsyet pse e kërkojnë një gjë të tillë.

“Në vazhdën e parregullsive, profesori ynë vazhdimisht ka shprehur favorizim ndaj studenteve të caktuara, kjo për shkak të raporteve personale që palët gëzojnë. Ky favorizim e njëkohësisht trajtesë e pabarabartë për studentët tjerë, është manifestuar jo vetëm në ligjërata, ushtrime, por edhe në pikën kulminante të vlerësimit të punës e dijes – provimit final. Të nderuar punonjës në organet përgjegjëse për shqyrtimin e ankesës sonë, ne dhe besojmë fuqishëm se edhe ju e dini se vlerësimi i studentit duhet të jetë proces i vazhdueshëm objektiv, sistematik e i paanshëm e assesi shpërfaqje e raporteve personale që shkojnë përtej Universitetit, e që nuk duhet të ndërhyjnë në Universitet”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e studentëve.

Studentët kanë bërë të ditur se kërkesa e dorëzuar pranë rektoratit, ka të bashkëngjitur edhe nënshkrimet e tyre si mbështetje pёr kёrkesёn.

Profesori Naser Ferri është ligjёrues i Gjuhёs Latine dhe lёndёs zgjedhore në semestrin e parë Historia e Kulturës Shqiptare, në Fakultetin e Filologjisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme