Studentët e Psikologjisë mund të kryejnë praktikë në QKUK

14:08 | 12 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, ka nënshkruar sot një Memorandum të bashkëpunimit me Dekanin e Fakultetit të Filozofisë, Bujar Dugolli.

SHSKUK (Klinika e Psikiatrisë në QKUK, Departamentet Psikiatrike në kuadër të Spitaleve të Përgjithshme, Qendra për Shëndet mendor në Bashkësi) dhe Departamenti i Psikologjisë, të Universitetit të Prishtinës, janë pajtuar për të identifikuar tema relevante të studimit, që mund të mundësojnë aplikime në grante ndërkombëtare të studimit dhe bashkëpunime me partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Përmes Memorandumit, psikiatrit, psikologët, profesorët universitarë, studentët, personeli edukativo-arsimor, mund të kontribuojnë në identifikimin e faktorëve me ndikim në shëndetin mendor dhe mund të zhvillojnë dhe pilotojnë intervenime parandaluese dhe trajtuese.

SHSKUK do të ofrojë mundësi për praktikë për studentët e vitit të tretë të nivelit të studimeve bachelor dhe studentëve të nivelit të studimeve master të Departamentin të Psikologjisë.

Për çdo kërkim shkencor parashtrohet kërkesë për aprovim paraprak tek Komiteti Etiko- Profesional i SHSKUK-së, dhe zyra për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Zbatimi i memorandumit realizohet përmes bashkëpunimit në ndërmarrje të iniciativave të përbashkëta të projekteve kërkimore dhe mbledhjen e të dhënave relevante në njësit organizative të SHSKUK-së, të përcaktuara në këtë memorandum dhe me studentë, që studiojnë në Departamentin e Psikologjisë të Fakultetit Filozofik.

Po ashtu parashihet koordinim i përbashkët i aktiviteteve përmes projekteve ekzistuese apo të cilat mund të zhvillohen në të ardhmen.

Memorandumi parasheh organizimin e ligjëratave relevante për studentë, klinicistë dhe personelin akademik në Departamentin e Psikologjisë dhe njësit organizative të SHSKUK.

Parashihet punë praktike (vëzhgim) në Njësitë Organizative të SHSKUK-së-Klinikën e Psikiatrisë, ku do të pranohen katër (4) studentë, që mund të qëndrojnë maksimalisht dy (2) muaj në punë praktike (vëzhgim), dhe sipas nevojës edhe në Departamentet psikiatrike dhe QSHM/SHIB.

Studentët paraprakisht, të adresojë kërkesat me shkrim në Drejtorinë e Përgjithshme të SHSKUK-së për aprovim dhe marrje të lejeve përkatëse (komisioni Etiko -Profesional dhe Zyra për Mbrojtjen e të Dhënave Personale).

Memorandumi lidhet për periudhë (1) vjeçare nga data e nënshkrimit si fazë e parë e pilotimit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme