Google ADS

S’ka zgjidhje për ujërat e zeza në kompleksin universitar

09:39 | 10 Korrik 2017
Arbresh.info

Në afërsi të Kompleksit Universitar të Prishtinës ka vite që rrjedhin ujëra të zeza. Kjo po i shqetëson qytetarët, e në veçanti studentët të cilët frekuentojnë këtë pjesë.

Komuna e Prishtinës nuk sheh ndonjë zgjidhje të shpejtë të mundshme meqë, sipas tyre, rrjeti është i vjetruar dhe nuk ka kapacitet për thithjen e këtyre ujërave.

Ujërat e zeza, të cilat vazhdimisht rrjedhin pranë Kompleksit Universitar të Prishtinës kundërmojnë erë të rëndë. Kjo po i shqetëson qytetarët e ne veçanti studentët të cilët frekuentojnë këtë rrugë.

Disa nga ta shprehen se është e pakuptimtë të ndodhë një gjë e tillë në mes të një kryeqyteti e aq më shumë pranë universiteteve.

Studentët ” Duhet të largohet gjithsesi, sepse këndej fillimisht kalojnë shumë studentë dhe era që kundërmon është shumë e keqe. Në mëngjes, në mbrëmje gjithmonë është kështu.”
”Normal që na pengon, sepse shumë erë të keqe bie.”

Siç duket ujërat e zeza edhe për një kohë ta pa caktuar do të vazhdojnë të shqetësojnë qytetarët në këtë pjesë. Komuna e Prishtinës nuk sheh ndonjë zgjidhje të shpejtë për këtë problematikë meqë, siç thonë ata, ky është një problem i kamotshëm, i cili vije si shkak i rrjetit të vjetruar.

Zëdhënësja në komunë, Miranda Mullafazliu, konsideron se ujërat e zeza të cilat vijnë nga Lagjja ”Aktash” janë të lidhura me kanalizimin e vjetër të Rektoratit, të UP-së, dhe nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për thithjen e këtyre ujërave, shkruan rtk.

Megjithatë, sipas Mullafazliut, komuna është duke hartuar një projekt i cili do të kthente rrjedhën ujërave të zeza të Lagjes ”Aktash” për t’u derdhur në kanalizimin e Rrugës ”Agim Ramadani.”

”Meqenëse bëhet fjalë për një projekt më të gjerë dhe më të ndërlikuar, për këtë duhet edhe planifikim dhe pjesëmarrje edhe e faktorëve të tjerë. Këtë është duke e bërë Komuna e Prishtinës. Në momentin që të gjitha të harmonizohen dhe bëhet alkimi i të hollave, do të fillojë edhe projekti. Dhe më këtë përfundimisht do të zgjidhet edhe ky problem.”

Ndërkaq, zëdhënësja në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina”, Arbërie Zogiani, tha për Radio Kosovën se ky problem ka ardhur si shkak i punimeve nga kontraktorë të ndryshëm të cilët kanë mbuluar puset. Zogiani bëri të ditur se me gjeologët janë duke bërë përpjekje për identifikimin e këtyre puseve.

”Jemi duke bërë përpjekje që të gjejmë këto puse në mënyrë që të intervenojmë. Përndryshe deri sa të mos gjenden këto puse e kemi të pamundshme dhe të vështirë që të mund të bëjmë diçka rreth kësaj çështjeje.”

Ndryshe, Ujësjellësi Rajonal ‘’Prishtina’’ nuk posedon shënimet për vendndodhjen e këtyre puseve, të cilat vite më parë u mbuluan me dhe nga kontraktorët që punuan në këtë zonë të kryeqytetit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme