Senati i Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” ka vendosur një ditë më parë që në vitin e ri akademik 2016-17 të regjistrohen rreth 8 mijë brucoshë. Propozimet nga fakultetet e këtij Universiteti i janë adresuar Rektoratit kohë më parë. Por, Senati ka votuar propozimet e fakulteteve në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, duke miratuar kuotat për secilën njësi akademike.
Afrim Hoti, prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, ka thënë për gazetën se pragu i kalueshmërisë është caktuar të jetë 40 për qind. Ndërsa, sipas tij, 20 për qind të pikëve do të llogariten nga suksesi i shkollës së mesme, 50 për qind nga provimi i maturës, si dhe 30 për qind nga provimi pranues.
Senatorët, sipas tij, kanë reaguar ndaj Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Arsimit që në këtë vit akademik të regjistrohen në studime nga numri i përgjithshëm 12 për qind prej radhëve të minoritarëve në vend. “Pati vërejtje pasi që ky numër është dyfishi i minoritarëve dhe u konsiderua si numër shumë i madh që nuk do të plotësohet, do të ngelen vende të zbrazëta, e në anën tjetër kandidatëve nga shumica do t’u mohohet e drejta e studimit”, tha ai.
Sivjet për herë të parë nuk do të ketë kuota për kandidatët që vijnë nga Lugina e Preshevës. Ata do të konsiderohen të barabartë me kandidatët nga Kosova. Hoti ka thënë se ky vendim është marrë po ashtu në Senat.
“Është hequr kuota për kandidatët nga Lugina”, ka thënë Hoti, duke u bazuar po ashtu se ky vendim ka dalë duke u thirrur në një Udhëzim të Ministrisë, i nxjerrë për këtë çështje. Provimet pranuese ai ka thënë se do të mbahen më 16 dhe më17 korrik. Ndërsa, ka bërë të ditur se në ditët në vijim nga Rektorati dhe fakultetet do të nisin përgatitjet e nevojshme për organizimin e provimit pranues.
Kriteret që do të aplikohen për seleksionimin e kandidatëve, Hoti ka thënë se nuk do të dallojnë shumë nga ato të viteve të mëparshme, do të ndiqet praktika e këtyre organizimeve.
Kuota e përcaktuar nga Universiteti i Prishtinës sipas procedurave legjislative, do t’i dërgohet për miratim ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, i cili është i fundit që jep “vizën” sa studentë do të studiojnë në UP.
Komisioni Shtetëror i Maturës (KSHM) dje i ka publikuar rezultatet e Provimit të Maturës (afati i qershorit) dhe do të japë informata të përgjithshme rreth procesit të organizimit dhe administrimit të testit. Pas publikimit të rezultateve do të ketë dhe hapësirë për ankesa nga ana e kandidatëve të pakënaqur, që para 8 korrikut kur do të hapet konkursi për aplikim, maturantët të jenë të pajisur me dokumentet përkatëse të maturës për aplikim.
Numri i studentëve të rinj që po pranohen në UP po shkon në rënie. Vitin e kaluar Universiteti i Prishtinës, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2015/2016, ka regjistruar 7880 studentë, prej të cilëve 7330 studentë të rregullt dhe 550 studentë me korrespondencë. Ndërsa, në vitin akademik 2014/2015 UP-ja në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2014-2015, ka regjistruar 10054 studentë, prej të cilëve 8294 studentë të rregullt dhe 1760 studentë me korrespondencë.
Autogoli i Leipzigut e bën Interin në Ligën e Kampionëve
Big Brother Vip Albania, ja ndryshimet që do të ndodhin
Assesi të këndellet City, dështon të fitojë edhe ndaj Feynor...
Kryeministri libanez u bën thirrje palëve të zbatojnë dhe t&...
ShBA-ja dhe Franca mirëpresin armëpushimin Izrael-Liban
Arsenal, Atalanta dhe Leverkuseni fitojnë me debakël ndeshje...