Sistemi aktual i studimeve në Kosovë promovon etikë të ulët të punës

14:32 | 27 Prill 2015
Arbresh.info

Në kuadër të programit për fuqizimin e kapaciteteve hulumtuese të shkencave sociale në Kosovë, Qendra për Kurajo Politike (CPC) organizoi takimin “Scientific Cafè”. Takimi kishte për qëllim që problemet dhe sfidat e hulumtuesve të rinj e seniorë si dhe të të gjithë komunitetit akademik të Kosovës t’i adresojë përmes diskutimeve joformale.

Pjesëmarrësit, të cilët ndanë përvojën e tyre si studiues jashtë vendit me një grup studentësh të interesuar nga fusha e shkencave sociale ishin: Pëllumb Kelmendi (Kandidat për Doktoraturë në Brown University SHBA), Avni Bytyqi (MA, Syracuse University, SHBA), Kushtrim Palushi (LL.M., University of Notre Dame, SHBA), Dafina Bucaj (LL.M., University of Cambridge, Mbretëri e Bashkuar) dhe Visar Ramaj (LL.M., Georgetown University, SHBA).

Diskutimi u fokusua në sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen studentët kosovarë, duke vazhduar me procedurat e aplikimit për studime jashtë vendit. Kështu, folësit e ngritën çështjen e një sistemi arsimor kosovar të mangët, i cili lë shumë për të dëshiruar kur është fjala për krijimin e shkathtësive të të menduarit, lexuarit e shkruarit kritik dhe refkektues, që janë edhe qëllimi i vërtetë i studimeve universitare. Për më tepër u theksua se këto shkathtësi janë vendimtare për të arritur regjistrimin dhe përfundimin e një programi studimi, qoftë në sistemin arsimor amerikan apo në atë evropiano-perëndimor.

Studentët të cilët ishin kthyer nga studimet jashtë vendit adresuan kritika se sistemi aktual i studimeve në Kosovë është duke promovuar një etikë të ulët të punës, e cila nuk i aftëson studentët në masë të duhur për të hulumtuar në mënyrë të pavarur dhe kritike. Sipas folësve dhe pjesëmarrësve është shumë e rëndësishme që koncepti i studimeve në Kosovë të orientohet kah aftësimi dhe ndërtimi i shkathtësive të studentëve dhe jo vetëm pajisja e tyre me njohuri rreth fakteve apo zhvillimeve nëpër fusha të ndryshme. Sipas tyre ky orientim do ta ngrehte nivelin e përgatitjes akademike të studentëve e i cili do të rezultonte me zhvillim të gjithëmbarshëm të vendit.

Në këtë kontekst, folësit, duke ndarë përvojat personale, përshkruan se si studimet jashtë vendit i kanë ndihmuar në ngritjen profesionale dhe personale, ku edhe i ofruan studentëve të tjerë të pranishëm ndihmën dhe këshilla praktike mbi procedurat dhe kërkesat e plotësimit të aplikacioneve për përfitimin e bursave studimore të ndryshme, si dhe mbi përgatitjen për testet e nevojshme.

Gjatë diskutimit, studentët u inkurajuan që të jenë pjesë e sa më shumë aktiviteteve jashtë-kurrikulore, si vlerë e shtuar e përgatitjes së tyre akademike e profesionale si dhe të kontaktojnë pa hezitim e të rrjetëzohen me studiuesit kosovarë nëpër universitetet e huaja. Theks i veçantë iu kushtua edhe fazës së përcaktimit për një specializim profesional, si një zgjedhje që duhet të frymëzohet pikë së pari nga kureshtja profesionale akademike, por duke pasur parasysh po ashtu edhe nevojat e kërkesat e tregut kosovar të punës.

Në diskutim gjithashtu u theksua se studiuesit për të ofruar kontributin e tyre jo domosdoshmërisht duhet të kthehen të jetojnë dhe veprojnë në vend. Ata mund të ofrojnë një kontribut të madh gjithashtu duke krijuar bashkëpunime mes institucioneve të jashtme ku veprojnë me institucionet e Kosovës, si p.sh. programe shkëmbimi mes profesorëve, hulumtuesve apo studenteve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme