Shtrëngohen kriteret për studim në UP

08:38 | 29 Qershor 2015
Arbresh.info

Kandidatët për studentë në Universitetin e Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” do të përballen me kritere të reja për të fituar të drejtën e studimeve në këtë Universitet.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë së Kosovës i ka propozuar Rektoratit të UP-së ndryshim të kritereve për pranimin e studentëve të rinj në studime. Disa prej tyre rrisin numrin e poenëve që një kandidat duhet të kalojë për regjistrim në UP. Për dallim nga vitet e mëparshme kur disa fakultete pranonin studentë vetëm në bazë të rezultateve të Testit të Maturës pa iu nënshtruar fare provimit pranues, sivjet do të mbajnë provim për kandidatët për titullin student.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka thënë për “Zërin” se për dallim nga vitet e kaluara këtë vit do të aplikohet provimi pranues për pranim të studentëve të rinj në të gjitha njësitë akademike të UP-së. Ky kriter, sipas Bajramit, do të vlejë për të gjithë kandidatët të cilët aplikojnë në kuadër të konkursit për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2015/16 në Universitetin e Prishtinës (UP).

“Jemi në koordinim me Rektoratin e UP-së dhe ende jemi në fazën e pranimit të propozimeve nga njësitë akademike për numrin e studentëve”, tha ai.

Pas kësaj, ministri ka thënë se do të jepen sugjerimet dhe miratimet e MASHT-it për pranimin e studentëve të rinj, gjithnjë sipas tij, duke synuar një orientim më të madh në shkencat ekzakte. “Gjithsesi, kjo do të bëhet konform kapaciteteve kadrovike dhe infrastrukturore që kemi në njësitë akademike në UP”. Bajrami ka thënë se po ashtu do të rritet pragu i kalueshmërisë së provimit pranues për pranim të studentëve të rinj në vitin akademik 2015/16.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme