Google ADS

Seminari i Gjuhës Shqipe pa pjesëmarrës nga Rusia

12:22 | 12 Gusht 2022
arbresh.info

Në edicionit e 40-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare nuk do të ketë pjesëmarrës nga Rusia, tha drejtori i seminarit, Shkumbin Munishi.

Edicioni i 40-të i Seminarit të Gjuhës do të mbahet nga 15 deri më 26 gusht.

Munishi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, e cila do të publikohet në ditët në vijim, tha se këtë vit, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, kanë kërkuar nga institucionet që të marrin instruksione lidhur me atë nëse duhet të lejohen të marrin pjesë shtetasit rus.

“Për fat të keq, dhe e konsideroj si gjë që nuk është aspak e duhur, ende nuk kemi marrë një përgjigje për këtë punë dhe praktikisht ne nuk u kemi kthyer përgjigje seminaristëve që tradicionalisht kanë ardhur nga Rusia”, tha ai.

Mundshi shtoi se ka parë që edhe shtete të tjera të Evropës kanë pezulluar pjesëmarrjen e shkollarëve dhe studentëve rusë në aktivitete të ndryshme, por tha se me lejimin ose jo të pjesëmarrjes së shtetasve rusë duhet të merren autoritetet e Kosovës.

Në të kaluarën, në Seminarin e Gjuhës, që mbahet në Prishtinë, kanë marrë pjesë profesorë të ndryshëm nga Rusia.

Një ndër pjesëmarrësit në seminaret e kaluara ishte edhe albanologu rus, Alexander Rusakov.

Rusakov, profesor në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shën Petërsburgut në Rusi, në një intervistë dhënë REL-it, në mars të këtij viti, tha se lufta e Rusisë kundër Ukrainës është “luftë kriminale”.

“Është luftë kriminale nga ana e qeverisë sime, nga ana e Rusisë. Po, sepse është një luftë agresive kundër një shteti më të vogël që nuk paraqet asnjë rrezik për Rusinë”, tha ai.

Vitin e kaluar, në Seminarin e Gjuhës ishte edhe profesori i Gjuës Shqipe nga Shën Petersburg, Aleksandar Novik.

Atëbotë, ai i kishte thënë REL-it se seminari ishte shumë i rëndësishëm pasi përkrah njohuritë për botën dhe kulturën shqiptare.

Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare është themeluar më 1974 në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës. Seminari organizohet për studentët dhe studiuesit e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, por edhe për albanologjinë në përgjithësi.

Ndryshe, Kosova i është bashkuar Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës./rel/

Të ngjashme