Semimaturantët ankohen për padrejtësi në mbledhjen e pikëve për pranim në shkollat e mesme

00:11 | 24 Qershor 2015
Arbresh.info

Semimaturantja Melisa Ademi, nuk është pranuar në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.

Ajo mendon se i është bërë e padrejtë në mbledhjen e pikëve të rezultateve nga shkollimi fillor dhe testi i arritshmërisë, si dhe lëndët profesionale, për të cilën gjë thotë se do të parashtrojë ankesë.

“Unë nuk jam pranuar në këtë shkollë edhe pse suksesin e kam pasur shembullor, krejt pesa. Pikët i kam pas 84. Një kriter që më ka lënë përshtypje më shumë është se në lëndën e Kimisë i kam pas 8 pikë, edhe këtu te lista e të papranuarve mi kanë dhënë vetëm 5 pikë. D.m.th unë i kam pas 18 pikë gjithsej e këta mi kanë dhënë vetëm 15, edhe nuk jam pranuar”, thekson ajo, raporton televizioni publik.

Derisa mendim tjetër kanë semimaturantët të cilët tashmë janë bërë pjesë e shkollimit të mesëm.

“Dokumentet i kam dorëzuar këtu në drejtimin Teknik i Farmacisë, në shkollën “Ali Sokoli”, në Prishtinë. Në testin e arritshmërisë i kam pasur 86 pikë. Kam dal aty tek lista e nxënësve që janë pranuar…(A ka pas konkurrencë…?)… Besoj që po se ka pas edhe nxënës nga vendet e ndryshme që janë pranuar”, tha Bleona Mehmeti

“Pikët në testin e arritshmërisë i kam pas 82, kam zgjedhë me ardhë në “Sami Frashër”, drejtimin natyror…”, theksoi Anita Murturi.

Ndërkaq, drejtues të shkollave të mesme thonë se do t’i shqyrtojnë të gjitha ankesat edhe pse, sipas tyre, konkurrenca ka qenë e madhe. Në shkollën e mesme të mjekësisë “Ali Sokoli” në kryeqytet kanë aplikuar rreth 450 nxënës për 160 vende.

“Ne nesër do i shqyrtojmë një nga një secilën brengë të prindërve të cilat i kanë fut në ankesë dhe ne do i përgjigjemi secilit prind me shkrim”, tha Hilmi Ratkoceri, Drejtor i Sh.M. Mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.

Derisa në Gjimnazin “Sami Frashëri”, për 320 vende kanë aplikuar mbi 380 nxënës. Udhëheqës të këtij gjimnazi theksojnë se në këtë shkollë të mesme po respektohet me përpikëri udhëzimi administrativ i cili përcakton që numri maksimal i nxënësve brenda një klase të jetë 32.

“Nuk do të ketë afat të dytë, vetëm nëse rritet numri nëpër paralele, sigurisht do të merren ata nxënës që janë në listën e pritjeve, kuptohet çdo herë flasim në mënyrën hipotetike, nëse interesimi është shumë I madhe dhe nuk kanë ku regjistrohen fëmijët dhe atëherë me një vendim të DKA-së, mund të shkohet në 35, por jo të vijën nxënës të tjerë të ri”, tha Osman Beka, Drejtor në Gjimnazin “Sami Frashëri”.

E para e arsimit në Prishtinë, Arbërie Nagavci, shprehet e kënaqur me mbarëvajtjen e procesit të regjistrimit të nxënësve në shkollat e mesme të kryeqytetit. Por, thekson se afat të dytë nuk do të ketë në shumicën e shkollave të mesme.

“Sipas informatave të para që i kemi, është plotësuar numri po thuajse në të gjitha shkollat është hera e parë sivjet që ka një interesim të shtuar për të gjitha shkollat përfshi edhe shkollat profesionale. Besojë konkurs të dytë do të ketë në shkollën “Xhevdet Doda”; “Eqrem Çabej”, “7 shtatori” dhe në shkollën “Abdyl Frashëri””, tha Nagavci.

Në vitin shkollor 2015/2016 është paraparë të pranohen në shkolla të mesme rreth 34 mijë nxënës, prej të cilëve në gjimnaze në tërë vendin do të vijojnë shkollimin mbi 21 mijë nxënës. Derisa në shkollat profesionale është paraparë të vijojnë shkollimin e mesëm afër 13 mijë nxënës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme