Google ADS

SBASHK-u në Kongresin e 7-të të Internacionales Botërore

09:27 | 22 Korrik 2015
Arbresh.info

Janë mbledhur në Otavë të Kanadasë përfaqësues të sindikatave të Arsimit nga 171 vende të botës për të marrë pjesë në Kongresin 7 të Internacionales Botërore të Arsimit, i cili pritet të hap diskutime për çështje madhore të arsimit kudo në botë dhe për sfidat që duhet tejkaluar bashkërisht duke u bazuar në solidaritetin që është arma kryesore e sindikalizmit në arsimin botëror. Mes 2000 delegatëve nga 400 sindikatave të arsimit nga të gjitha kontinentet janë edhe përfaqësuesit e SBASHK-ut ,kryetari Rrahman Jasharaj bashkë me Ymer Ymerin e Vlora Rexhepi- Berisha.

Këtë ngjarje të madhe botërore të arsimit e ka shpallur të hapur kryetarja e Internacionales Botërore të Arsimit,znj. Susan Hopgood, e cila pasi u ka dëshiruar mirëseardhje delegatëve sindikalistë nga e tërë bota ka folur për sfidat dhe arritjet në arsim duke kërkuar që të vazhdohet me angazhimet në mbrojtje të arsimit publik dhe të solidaritetit mes popujve. Ajo nga kjo ngjarje e madhe u është drejtuar udhëheqësve botëror që të krijojnë kushte të barabarta për përfshirjen e të gjithë fëmijëve pa dallim race, besimi e gjendjes sociale në të gjitha nivelet e shkollimit.

Ka respektuar këtë ngjarje të madhe të arsimit edhe guvernatorja e Ontarios , znj. Elizabeth Doëdesëell. Ajo u ka thënë delegatëve që të ndjehen si në shtëpinë e tyre dhe bashkërisht të sjellin vendime në shërbim të arsimit kudo në botë. Edhe Ministri i Edukimit, Turizmit e Kulturës nga Alberta ,z. David Eggen ka përshëndetur Kongresin 7 të EI-së dhe është shprehur se Kanada ndjehet krenare pse pikërisht këtu po zhvillohet kjo ngjarje e madhe e arsimit.

Në ceremoninë e hapjes së Kongresit kanë përshëndetur edhe drejtori i përgjithshëm i ILO-s ( Organizata Ndërkombëtare e Punës), z. Guy Ryder, kryetari i Kongresit Kanadez të Punës,z, Hassan Yussuff dhe zyrtari i lartë i Otavës,z, Bob Monette. Në fillimet e punimeve të Kongresit ka folur edhe sekretari i përgjithshëm i Internacionales Botërore të Arsimit, z. Fred van Leeuëen, i cili ka kujtuar delegatët se gjatë tri ditëve para Kongresit janë zhvilluar shumë aktivitete dhe seanca plenare dhe se në Kongres për 5 ditë me radhë do të ketë shumë diskutime dhe do të votohen edhe disa rezoluta me rëndësi për arsimin kudo në botë.

Delegacioni i SBASHK-ut gjatë gjithë kohës sa po qëndron në Otava të Kanadasë është duke marrë pjesë në aktivitete dhe po zhvillon takime me delegacione nga sindikata të ndryshme të arsimit. Ky delegacion është nderuar edhe me ftesën e veçantë që i ka bërë AFT-ja ( Federata e Mësimdhënësve të SHBA-së) për një takim miqësor. Në këtë takim janë bërë bashkëbiseda përmbajtjesore dhe është shprehur gatishmëria e AFT-së për bashkëpunim të shtuar me SBASHK-un. Ky delegacion nga Kosova është takuar edhe me delegacione nga shumë vende të botës.

Përfaqësues të EI-së, AFT-së dhe sindikatave të tjera janë shprehur se me kujdes kanë përcjellë gjithë angazhimet e SBASHK-ut në përpjekje për realizimin e kërkesave të mësimdhënësve atje. Kryetarja e AFT-së, znj. Randi Ëeingarten, Nënkryetarja ekzekutive, znj. Mary Cathryn Ricker dhe kandidatja nga kjo sindikatë për nënkryetare të EI-së, znj.Lorretta Johnson gjatë takimeve me delegacionin e SBASHK-ut kanë shprehur respekt për angazhimet e kësaj sindikate të arsimit duke shtuar se do të vazhdojnë bashkëpunimin me SBASHK-un.

Delegacioni i SBASHK-ut do të vazhdojë takimet edhe me shumë delegacione të sindikatave të arsimit nga e tërë bota dhe do të jep kontributin edhe rrjedhën e suksesshme të këtij Kongresi të Internacionales Botërore të Arsimit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme