Google ADS

Rektorati nderon me mirënjohje profesoreshat e UP-së

15:21 | 8 Mars 2023
A. B.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Qerim Qerimi ka nderuar me mirënjohje profesoreshat e njësive akademike, me motivacionin për kontribut meritor dhe shërbim për universitetin.

“Profesoreshat kanë dhënë kontribut qenësor në zhvillimin dhe avancimin e UP-së, nga shërbimi shumëvjeçar në ligjërim, angazhim brenda strukturave të njësive akademike, si dhe me punë shkencore në fushat përkatëse. Sot do të ndajmë mirënjohje për ju, për kontributin tuaj meritor dhe për shërbimin për universitetin.

Megjithatë, ne kemi zgjedhur këtë datë më tepër për arsye simbolike. Por nuk është që mirënjohjet po i japim për këtë ditë, por për vite e dekada kontribut e shërbim tuajin për këtë institucion, që ne e kemi aq afër zemrës”, u tha Rektori profesoreshave të shpërblyera me mirënjohje.

Falënderuese për nderimin e pranuar ishin profesoreshat e shpërblyera. Prof. dr. Shpresa Hoxha, nga Fakulteti Ekonomik, shprehu mirënjohjen e saj për njohjen e këtij kontributi nga ana e rektoratit. Ajo theksoi se është pjesë e UP-së për afër gjysmë shekulli, përkatësisht nga viti 1970, fillimisht si studente, e që nga viti 1974 si staf akademik.

“Ndërkaq, në mbyllje të ceremonisë, prorektorja Njomza Llullaku paraqiti edhe në statistika avancimin e pozitës së gruas në universitet. Ajo përmendi Fakultetin e Arkitekturës, në të cilin 90% e stafit janë gra dhe një pjesë dërrmuese e njësive akademike, të cilat kanë mbi 50% të stafit akademik gra, përfshirë: Mjekësinë, Filologjinë, Edukimin, etj”, thuhet në njoftim.

Aktualisht, gratë dhe vajzat paraqesin edhe pjesën më të madhe të studentëve të UP-së, ku 66% nga numri i përgjithshëm i takojnë kësaj gjinie.

UP-ja ka falënderuar stafin akademik për punën, angazhimin dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në avancimin e shkencës. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme