Reforma, për më shumë cilësi në arsimin e lartë

08:31 | 4 Qershor 2015
Arbresh.info

Gjilani është bërë qytet universitar, me mëtimin që universiteti i hapur këtu të jetë strehë edhe për studentë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, por edhe nga qendra të tjera të trekëndëshit kufitar Kosovë – Maqedoni – Serbi.

Përpos numrit të madh të studentëve që po mbledh Universiteti Publik “Kadri Zeka”, përpjekje ka edhe në shtimin e cilësisë. Në këtë drejtim është Projektligji për Arsimin e Lartë dhe atë për Profesionet e Rregulluara, që mëton të bëjë reforma në arsimin e lartë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, gjatë një debati që është mbajtur në Universitetin “Kadri Zeka”, ka theksuar se me Projektligjin për Arsimin e Lartë, po synohet reforma në shumë aspekte në këtë nivel të arsimit, e cila do të ngrejë cilësinë në arsim dhe në menaxhim në arsimin e lartë. Ai theksoi se universiteti i Gjilanit po ecën me hapa të sigurt drejt ngritjes së cilësisë dhe krijimit të një imazhi mjaft të mirë dhe premtoi mbështetjen e Ministrisë që udhëheq ai me qëllim avancimin e mëtutjeshëm të këtij institucioni.

Naim Syla, ushtrues detyre i rektorit të Universitetit “Kadri Zeka”, ftoi të gjithë akterët e arsimit të lartë që të japin rekomandimet dhe propozimet e veta në mënyrë që ligji të plotësohet dhe të dalë sa më i kompletuar, për të mundësuar një funksionim dhe menaxhim sa më të mirë nëpër institucionet e arsimit të lartë. Syla së bashku me anëtarët e tjerë të stafit të tij, pas diskutimeve lidhur me plotësimet-ndryshimet e ligjit aktual, morën dhe sqarimet e nevojshme nga ministri dhe përfaqësuesit e MASHT-it dhe u dakorduan që në ditët në vazhdim, të gjitha rekomandimet dhe vërejtjet aktuale të dërgohen me shkrim tek grupi punues për Projektligjin e Arsimit të Lartë.

Ndërsa, ministri Bajrami ka ftuar profesorët dhe studentët e Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka” që të jenë pjesë e debatit në mënyrë që siç tha ai, të ketë një ligj i cili do të jetë në funksion për dekada me radhë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme