Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e procesit mësimor. Aktualisht ka thënë ai se është duke u bërë edhe shpërndarja e teksteve shkollore dhe çdo gjë është gati që mësimi të fillojë më datë 1 shtator.
Lidhur me grevat në arsim, Pupovci vlerëson se sa i përket grevës, ‘ne jemi deklaruar edhe më herët se veprimet për ndërprerjen e procesit mësimor nuk kanë arsyetim’. Ai ka thënë se sindikata e arsimit gëzon të drejtën e garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenojë edhe të drejtat e nxënësve për shkollim.
Radio Kosova: A mund të na thoni a janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e procesit mësimor?
Dukagjin Pupovci: Po, mund të konfirmoj se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e procesit mësimor. Është duke u bërë edhe shpërndarja e teksteve shkollore dhe çdo gjë është gati që mësimi të fillojë më datë 1 shtator.
Radio Kosova: Sindikata e Arsimit vazhdon të kërcënojë me greva nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, që tashmë dihen. Çfarë mund të na thoni për këtë? A do të ketë rritje pagash në sektorin e arsimit, si është e paraparë kjo me Ligjin e Pagave?
Dukagjin Pupovci: Po, në Projektligjin e ri të pagave, mësimdhënësit me të vërtetë janë trajtuar me kujdes të veçantë, që ne edhe për para-draftin që ka dalë në shkurtin e këtij viti e kemi diskutuar me Sindikatën dhe kemi bërë disa modifikime në të. Pastaj, ia kemi dërguar Ministrisë së Administratës Publike dhe tani kur doli ky drafti zyrtar, po e shohim se ato janë marrë parasysh. Nëse e shihni në raport me atë Ligjin e kaluar, të cilin e pat anuluar Gjykata Kushtetuese, ne kemi faktikisht ngritje të koeficienteve për të gjitha kategoritë e mësimdhënësve dhe përmirësim të atyre përpjesëtimeve në mes të pagës së një mësimdhënësi dhe pagës më të madhe në Kosovë, që ka qenë një problem me rastin e Projektligjit të kaluar, dhe kjo vlen edhe për stafin tjetër të shkollave. Ndërsa, për sa i përket grevës, ne jemi deklaruar edhe më herët se veprimet për ndërprerjen e procesit mësimor nuk kanë arsyetim. Natyrisht, sindikata gëzon të drejtën e garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenojë edhe të drejtat e nxënësve për shkollim. Këto dy çështje duhet të balancohen dhe sigurisht të gjenden forma të tjera të shprehjes së pakënaqësisë, përveç të pengimit të procesit mësimor.
Radio Kosova: A do të fillojë mësimi më 1 shtator në të gjitha shkollat e vendit, apo mund të ketë vonesa në ndonjë shkollë, për shkak të punimeve?
Dukagjin Pupovci: Ne kemi pasur kujdes që të gjitha ato që varen nga Ministria e Arsimit, t’i planifikojmë me kohë. Mirëpo, është fakt që në disa komuna mund të ketë probleme me renovimet, veçanërisht këtë vit kur kemi pasur një ngritje jashtëzakonisht të madhe të çmimeve të materialit ndërtimor. Shumë kompani e kanë ndalur ose ngadalësuar punën, për shkak se nuk kanë pasur mundësi të përmbushin obligimet e tyre kontraktuale me ato çmime që kanë ofertuar. Mirëpo, kryesisht jemi mirë dhe me ndonjë vonesë në ndonjë shkollë, besoj se viti shkollor do të fillojë më 1 shtator për sa i përket përgatitjeve.
Radio Kosova: Sa është përmirësuar infrastruktura në shkolla për këtë vit shkollor?
Dukagjin Pupovci: Infrastruktura shkollore në Kosovë përmirësohet në vazhdimësi. Edhe kjo qeverisje dhe qeveritë e kaluara kanë punuar mjaft në këtë drejtim. Ne sivjet kemi diku rreth 27 milionë për investime kapitale në nivelin e Ministrisë, plus janë mjetet që investojnë vetë komunat në infrastrukturën shkollore. Nga ky këndvështrim, shkollat tona bëhen me ambiente më të mira për nxënës. Kësaj i kontribuon deri në një masë edhe një element që nuk jemi shumë të kënaqur, zvogëlimi i vazhdueshëm i numrit të nxënësve, që është rezultat i zhvillimeve demografike dhe kjo rezulton me lirimin e hapësirave në shkolla.
Radio Kosova: Ndërkohë, ka pasur avancim edhe në infrastrukturën ligjore, çfarë mund të na thoni për këtë?
Dukagjin Pupovci: Gjatë kësaj periudhe jemi në procesin e hartimit dhe procedimit të tetë ligjeve. Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe Ligjin për Fëmijërinë e Hershme tashmë i kemi proceduar në Kuvend. Ndërkohë, ka përfunduar diskutimi publik për Ligjin për Tekstet Shkollore, i cili së shpejti do të procedohet për Kuvend. Po ashtu, është në proces tani konsultimi publik për Ligjin e Arsimit të Lartë, si dhe janë duke u hartuar koncept-dokumentet edhe për katër ligje të tjera, në mesin e të cilëve është edhe Ligji për Maturën Shtetërore, në mënyrë që provimi shtetëror të përmirësohet edhe më shumë.
Radio Kosova: A mund të na thoni nëse janë gati tekstet shkollore dhe a do të shpërndahen falas në të gjitha shkollat?
Dukagjin Pupovci: Po edhe këtë vit të gjithë nxënësit do të pajisen me tekste të reja shkollore. Shpërndarja e teksteve tanimë ka filluar, ku janë nënshkruar kontratat edhe me kompanitë. Kostoja e teksteve këtë vit është më e lartë, diku rreth 15 milionë euro, për shkak të faktit se të gjitha janë tekste të reja dhe besoj që para datës 1 shtator ato do të jenë nëpër shkolla, në mënyrë që ditën kur të fillojë procesi mësimor t’u shpërndahen nxënësve.
Radio Kosova: Gjithashtu, është thënë se këtë vit shkollor klasat e para do të fillojnë me Abetaren e unifikuar me Shqipërinë. A do të shpërndahen tekstet shkollore edhe në Luginën e Preshevës e në diasporë, përfshirë këtu edhe Abetaren e unifikuar?
Dukagjin Pupovci: Lugina e Preshevës, këtë radhë e ka bërë një kërkesë specifike te ne, që ne të financojmë blerjen e teksteve nga ana e tyre, pasi në Serbi tekstet nuk u jepen falas nxënësve. Kështu që, Qeveria ka marrë vendim lidhur me këtë, më duket se ka qenë një shumë prej 250 mijë eurosh. Ato mjete tanimë janë transferuar në llogarinë përkatëse në Luginë, që ata të mund t’i blejnë vetë tekstet. Tani ekziston një marrëveshje ndërmjet autoriteteve të Luginës së Preshevës dhe Shqipërisë, për marrjen e disa teksteve mësimore nga Republika e Shqipërisë, por nuk jam shumë i sigurt nëse në mesin e tyre bën pjesë edhe Abetarja e përbashkët. Është diçka që ata komunikojnë direkt me autoritetet e Shqipërisë.
Abetarja tanimë ka përfunduar, pritet edhe shpërndarja e saj nëpër shkolla. Ne kemi pasur kujdes, sepse kalendari i fillimit të vitit shkollor nuk është i njëjtë në Kosovë dhe Shqipëri dhe kemi kërkuar që puna të përfundojë me herët, në mënyrë që Abetarja të jetë e gatshme për 1 shtator, kur edhe zyrtarisht fillon mësimi në Kosovë.
Radio Kosova: Sa i përket vlerësimit të performansës së mësimdhënësve, është thënë se kjo çështje do të rregullohet edhe me ligj, çfarë është paraparë?
Dukagjin Pupovci: Kjo çështje tashmë është duke u rregulluar edhe me ligj. Mirëpo, ne kemi vërejtur gjatë kësaj periudhe se sistemi aktual i vlerësimit të përformansës së mësimdhënësve nuk është efektiv, sepse bëhet vetëm një herë në pesë vjet dhe bëhet nga ana e inspektoratit të arsimit, i cili thjesht nuk ka kapacitet që ta bëjë një vlerësim të tillë për 23 mijë mësimdhënës sa janë afërsisht në Kosovë. Tani ne jemi duke bërë ndryshime në këtë sistem dhe këtë javë ka qenë një punëtori e madhe e grupit të punës që merret me këtë çështje dhe besoj se deri nga fundi i vitit, ne do të kemi një sistem tjetër të vlerësimit të performasës, i cili do të jetë më i zbatueshëm. Nga ana tjetër, do të mundësojë edhe licencimin në atë formë që licencat të lidhen edhe me pagat. Pra, edhe në Ligjin e Pagave kemi kërkuar që të jetë një nen i veçantë, që e lidh licencën e mësimdhënësve me pagën dhe mendojmë se kjo do të jetë më e dobishme për Ministrinë e Arsimit dhe shumë stimuluese për mësimdhënësit.
Moti sot i vranët dhe me riga shiu
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza