Me një jetëshkrim profesional që liston plot 62 “publikime shkencore”, për periudhën 1985-2014, prodekania për shkencë në Fakultetin Ekonomik, prof. Shpresa Hoxha, mund të kishte befasuar arenën shkencore në Ballkan e më tej, sikur CV-ja e saj të kishte qenë në rregull.
Megjithëse statuti i Universitetit të Prishtinës nuk ka ndonjë përcaktim të qartë lidhur me detyra të tilla, janë në diskutim aspektet profesionale dhe etike për emërim në pozita të tilla të njerëzve nga disiplina të tjera.
Lidhur me këtë çështje as prodekania Hoxha e as dekani Dedaj nuk janë përgjigjur.
Në CV-në që liston punime që nga vitit 1985, vetëm prej vitit 2000 deri në vitin 2014, Hoxha ka deklaruar 59 publikime shkencore, çka përkthehet në mesatarisht 4.2 publikime shkencore në vit.
Për shembull, punimi “Për mbishkrimet tona në lokalet afariste e datës 26-27 qershor 2004, nga vetë autorja deklarohet se është prezantuar në një “tryezë të rrumbullakët shkencore” dhe më pas është botuar në Bota Sot. [(About inscriptions of our business premises), Scientific Round Table): “Gjuha shqipe në shkrimet publike” Prishtina Albanian Language in public writings), 26-27 June 2004. (“Bota sot”, 15.VII 2004. Prishtina); Gjuha shqipe, 3/2005, Prishtina”]
Përveç publikimeve që mund t’i jenë nënshtruar ndonjë prezantimi, prodekania Hoxha ka listuar edhe artikuj që nuk janë prezantuar, por janë botuar vetëm në të përditshmet kosovare si “Në Mitrovicë historia përsëritet (In Mitrovica the history is recurred), Prishtina, “Koha ditore”, 8. VII 2006”.
Punimet e saj në përgjithësi janë në fushën e gjuhësisë, gjë që nuk e arsyeton pozitën e saj si prodekane për shkencë në fakultetin ekonomik.
Çka konsiderohet publikim shkencor?
Profesori dhe shkencëtari Fetah Podovrica, i cili është autor i shumë punimeve në revistat më me renome në fushën e elektro-kimisë, dhe i cili është cituar 1795 herë nga autorë të tjerë, në një koment që ka dhënë kohë më parë për Gazeta JNK ka sqaruar se çka quhet punim shkencor.
Ai tha se “Deri te dalja e punimit në një numër të caktuar të revistës ka disa procedura.
Së pari ato lidhen me cilësinë e vetë punimit shkencor, i cili në revista shkencore kredibile i nënshtrohet vlerësimit të paanshëm anonim prej 2-4 ekspertëve të njohur të lëmisë së ngushtë. Pas pranimit të punimit shkencor, kryeredaktori i revistës e dërgon punimin në procedurë të publikimit”.
Profesori asistent në Université Paris-Est Créteil (UPEC), Nezir Kraki nga Kosova, tha për Gazetën JNK se publikimet shkencore duhet të përmbushin kushte shumë strikte në mënyrë që të konsiderohen të tilla.
“Që të llogaritet si shkencor, këtu [në Paris] artikulli duhet të publikohet në revista me komitet lexues, domethënë me komitet të përbërë nga specialistë të cilët e validojnë përmbajtjen e artikullit për publikim”, tha Kraki.
Gjithashtu, ai shpjegoi se ka raste kur punimet e prezantuara në konferenca shkencore mund të merren si publikime shkencore.
Rektorati: Prezantimet në konferenca nuk janë publikime shkencore
Lidhur me listimin e prezantimeve nëpër konferenca të ndryshme që mund të quhen edhe “shkencore”, por që nuk kanë ndonjë peshë shkencore e akademike domethënëse, si punime shkencore nëpër CV, rektorati në mandatin e Marjan Demës ka lëshuar një qarkore këshilluese.
Letra me të cilën rektorati i ishte drejtuar Senatit sqaronte se cilat janë platformat e revistave të besueshme në të cilat u rekomandohet pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së të botohet si dhe ato ku nuk lejohet publikimi.
E megjithatë, në komunikimet e mëparshme me Gazetën JNK rektorati ka bërë të qartë se e lë në diskrecionin e profesorëve zgjedhjen e revistave apo formave për botim, duke shtuar megjithatë, se punimet e publikuara në revista të vlerësuara si të papërshtatshme nuk do të konsiderohen punime shkencore dhe nuk do të pranohen për avancim akademik.
Gjatë muajve të fundit, Gazeta JNK ka hulumtuar disa raste të publikimeve në revista mashtruese, rasteve të mundshme të plagjiaturave si dhe avancimet e dyshimta nëpër grada akademike. Raste të ndryshme që nga vet rektori Marjan Dema, anëtari i Këshillit Drejtues Fevzi Berisha, dekani i ekonomikut But Dedaj e shefi i deparatamentit të historisë Selim Bezeraj, janë raportuar por asnjë masë nuk është marrë. Lidhur me këtë gjendje Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nuk është përgjigjur, pavarësisht pyetjeve të përsëritura që i janë drejtuar. /kallxo.com
Tubim në Gjirokastër, Kumbaro: Kënaqësi të bisedosh me gjiro...
Joe Biden kërkon 24 miliardë dollarë të tjera për Ukrainën
Kurti për suksesin e Telekomit: I vetmi vend në rajon që nuk...
Vajzat e Kosovës U19 mposhten nga Gjermania
Hamza pritet në takim nga Begaj: Nëntori, muaji që shto dinj...
Një letër dashurie për Sarën dhe skena xhelozie nga Anisa, ç...