Google ADS

PISA e ndjek Ministrin Bajrami, deputetët kërkojnë interpelancë

15:14 | 12 Dhjetor 2016
M. A.

Komisioni Parlamentar për Arsim, të hënën do t’ia adresojë kryesisë së Kuvendit të Kosovës, kërkesën që të thirret në Interpelancë ministri i Arsimit, Arsim Bajrami. Kërkesa mbështet rezultatet e dobëta të nxënësve kosovarë në testin e PISA-s.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami do të thirret në Interpelancë nga Kuvendi i Kosovës për shkak të rezultateve të dobëta të nxënësve në testin e PISA-s. Këtë kërkesë të hënën do t’ia adresojë kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Komisioni Parlamentar për Arsim.

Kryetari i këtij komisioni, Nait Hasani, ka thënë për “Zërin” se komisioni do të mblidhet sot (e hënë), që të marrë vendim rreth kërkesës që do t’i adresohet kryesisë së Kuvendit, që të thirret në interpelancë ministri Bajrami për rezultatet e testit PISA. Hasani ka thënë se në sistemin arsimor gabimi që i ka kushtuar dhe po i kushton Kosovës është moszbatimi i ligjeve ashtu siç janë miratuar.

“Ligjet duhet të zbatohen siç miratohen nga Kuvendi, po të zbatohen ashtu siç janë për një periudhe 16-20 vjeçare pa u ndryshuar, do të nxirrej një gjeneratë pa u dëmtuar”, thotë ai, duke shtuar se në këtë formë kanë vepruar dhe vendet tjera perëndimore.

Sipas Hasanit, Finlanda, shteti që tani mban vendin e tretë për arsim cilësor, e dikur rezultatet e nxorën si shtet me analfabetizëm të lartë, sipas tij, arriti të dalë nga gjendja e rëndë në arsim falë zbatimit të ligjeve për afat deri 20 vjeç pa u ndryshuar. Hasani thotë se disa herë i ka njoftuar për gjendjen në arsim: Presidentin, Kryeministrin, dhe ministrin e arsimit.

“Deri tash nuk është gjendur zgjidhje”, ka thënë Hasani.

Ndërsa, edhe grupi Parlamentar i Lëvizjes “Vetëvendosje” ka kërkuar Mocion për Interpelancë. “Në bazë të nenit 65.9 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Nenit 44, paragrafi 1, të Rregullores së Punës së Kuvendit, Grupi Parlamentar i Lëvizjes “Vetëvendosje” thërret në Interpelancë Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për çështjen: Përgjegjësinë mbi organizimin e arsimit parashkollor, parafillor dhe parauniversitar në Kosovë”, thuhet në letrën dërguar kryetarit të Kuvendit nga Ismajl Kurteshi, në emër të Grupi Parlamentar të VV-së më 8 dhjetor të këtij viti. Kurteshi ka theksuar se në vitin 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës pati miratuar Rezolutën për zbatimin e deklaratës së Mijëvjeçarit, ku një nga 8 pikat ishte dhe zhdukja e analfabetizmit të të gjitha llojeve deri në vitin 2015.

“Për këtë qenë zotuar edhe Qeveria e Presidenca e asaj kohe. Kjo as nuk është arritur as nuk duket se po adresohet drejt derisa ende sot institucionet përgjegjëse s’e deklarojnë zyrtarisht numrin e saktë analfabetëve klasikë dhe atyre funksionalë në Kosovë”, ka potencuar Kurteshi.

Ndërkaq, Eksperti i Arsimit, Jonuz Salihaj, ka thënë për “Zërin” se rezultatet e testit PISA nuk ishin befasuese, pasi sipas tij, shkalla e degradimit të arsimit vazhdimisht ka pësuar rritje.

“Nuk mund të pritet cilësi nga ata që e kanë zaptuar çdo nivel të arsimit me nepotizëm dhe joprofesionalizëm”, tha ai.

Salihaj thotë se fakti që ka të bëjë me nxënësit e nivelit 2 të arsimit, arsimit të detyruar, vlerësimi tregon se nuk janë përmbushur objektivat kryesore në fushën e leximit, matematikës dhe shkencave ekzakte në arsimin fillor.

“Kjo ka ndodhur si pasojë e mospërfshirjes së fëmijëve në arsimin parashkollor, sidomos në atë parafillor, mandej programeve joadekuate arsimore, një kurrikulë që vazhdimisht pilotohet, kuadrove të dobëta arsimore, menaxhimit të dobët të shkollave tona, ndërhyrjeve të vrazhda politike…,etj”.

Salihaj thotë se pas luftës nuk ka pasur kurrfarë cilësie në arsim. “Vlerësimet e jashtme edhe pse me shumë parregullsi, vazhdimisht kanë konfirmuar se më shumë se gjysma e nxënësve nuk kanë arritur të marrin 50 për qind të pikëve në testet vlerësuese”, thotë Salihaj.

Ai madje thekson se MASHT-i që nga viti 2008 është mjaftuar vetëm me hartimin e strategjive, por asnjëherë nuk është mërzitur më si të realizohen ato. “Nuk ka krijuar kurrfarë mekanizma të zbatimit, ato thjesht janë përdorur sa për retorikë politike. Përgjegjësitë i bartë Qeveria e Kosovës, apo më saktë ky koalicion qeverisës që edhe sot fatkeqësisht gjendet në pushtet. Por, për të mos u përsëritur vlerësimi negativ i PISA-s, Salihaj thotë se masa që duhet ndërmarrë është së pari depolitizimi apo departizimi në arsim. “Mandej krijimi i mekanizmave të pavarur për garantimin e cilësisë. Vend kyç në këtë mekanizëm paraqet krijimi i Qendrës Nacionale për Vlerësim”, thotë ai për gazetën. /zëri/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme