Pilotprojekti i vlerësimit kundërshtohet nga gjimnazistët e dy shkollave

08:56 | 8 Qershor 2015
Arbresh.info

Vendimi për procedurat e vlerësimit përfundimtar dhe të vlerësimit përmbyllës në shkollat pilot të Kosovës ka nxitur reagimin e nxënësve të klasave të njëmbëdhjeta të gjimnazit “Sami Frashëri” dhe “28 Nëntori”.

Për këtë shkak, ata kanë nënshkruar një peticion me të cilin u janë drejtuar drejtorëve të shkollave përkatëse dhe Ministrisë së Arsimit, nga e cila kanë kërkuar që ai të mos aplikohet sivjet, shkaku i njoftimit të vonshëm. Nga një vlerësim i tillë, dikush prej nxënësve mund ta humbasë vitin.

“Ne nuk po pajtohemi me ato reforma pasi që ne nuk kemi hyrë në shkollë që nga fillimi me to. Thjesht jemi shumë të rrezikuar, dhe le të eksperimentojnë me të tjera gjëra. Nuk do e pranojmë assesi një reformë të tillë”, ka thënë nxënësi i klasës së 11-të, Taulant Gashi.

Kundërshtimin e nxënësve e ka pohuar edhe drejtori i gjimnazit “Sami Frashëri”, Osman Beka. Sipas këtij të fundit, për shkak se bëhet fjalë për projekt të ri dhe të panjohur, është normal edhe shqetësimi. Testi është planifikuar të mbahet më 22 qershor, ndërsa vendimi për këtë, nga Ministria e Arsimit, është lëshuar më 4 qershor, shkruan sot Koha Ditore.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme