Ligji i Punës i Republikës së Kosovës nuk e përcakton që puna praktike duhet të paguhet.
E kjo ka bërë që një grup i të rinjve të themelojnë një iniciativë për të treguar përvojat e tyre të punës praktike dhe për të kërkuar që po e njëjta punë të paguhet.
Të gjithë ata të cilët kanë bërë ose janë duke bërë punë praktike mund të ndajnë përvojën e tyre me iniciativën “Pay My Intership”.
Themeluesja e kësaj iniciative, Linda Gjokaj, në një intervistë për KosovaPress ka bërë të ditur se e gjithë iniciativa ka nisur prej studentëve të cilët kanë kryer praktika në institucionet private dhe publike, por që kjo praktikë nuk iu është paguar.
“Iniciativa jonë është ‘Pay My Intership’, ose në gjuhën shqipe ‘Më paguaj praktikën’. E cila ka nisë prej disa studentëve, faktikisht prej disa të rinjve, të cilët kanë përfunduar studimet, përfshirë edhe unë dhe gjatë studimeve dhe pas studimeve kemi kryer disa praktika, por të cilat fatkeqësisht nuk janë paguar. Prandaj, e gjithë ideja ka nis prej kësaj, prej pakënaqësisë së këtyre të rinjve për mos pagesë të praktikës dhe lirisht mund të them keqtrajtimit që iu bëhet në vendin e praktikës”, tha Gjokaj.
Sipas saj qëllimi i kësaj iniciative është që të ngritë vetëdijen tek të rinjtë dhe tek institucionet që puna praktike duhet të paguhet.
“Qëllimi i iniciativës ‘Pay My Intership’ që së shpejti do të jetë edhe organizatë joqeveritare është që fillimisht të ngrit vetëdijen tek të rinjtë që puna që ata e bëjnë, puna do të thotë tetë orësh nganjëherë edhe më shumë duhet të paguhet. Nëse jo të paguhet, nëse jo të merret një rrogë shumë modeste të jetë një kompensim. Kompanitë apo punëdhënësit të vendosin çfarë kompensimi do të jetë ai për punën që ata kryejnë. Pra, qëllimi i parë është vetëdijesimi i këtyre të rinjve që puna praktike duhet të paguhet”, tha ajo.
Kjo iniciativë ka gjetur përkrahje nga të rinjtë kosovarë sipas themelueses së kësaj iniciative, ku ata kanë ndarë përvojat e tyre të praktikës fillimisht në faqen e Facebook-ut të “Pay My Intership”.
Gjokaj ka treguar për KosovaPress përvojën e saj të punës praktike që ka bërë në disa media dhe OJQ të ndryshme, por që nuk është paguar.
Ajo tha se nëse puna e saj do të ishte paguar vetëm 50 përqind të rrogës minimale në Kosovë nga tri praktikat e saj ajo për një vit do të kishte marrë rreth 1300 euro.
“Jemi befasuar me përkrahjen dhe sa mirë e kanë pritur të rinjtë këtë iniciativë, fillimisht është kampanjë dhe do të vazhdojë si kampanjë edhe një kohë në mënyrë që të marrim më shumë përvoja prej të rinjve rreth punës praktike që ata kanë bërë. Gjithçka ka nisur, edhe unë si iniciatore e kësaj kam përfunduar disa praktika gjatë kohës së studimeve dhe normalisht që nuk jam paguar. Në atë kohë ndoshta nuk ka qenë në vetëdijen time ose nuk e kam paramenduar që praktika duhet të paguhet, por tash kur kthehem mbrapa në kohë dhe e mendoj që po të më ishte paguar ato praktika sa më kishin ndihmuar mua”, tha ajo.
Iniciativa “Pay My Intership” sipas themelueses Linda Gjokaj së shpejti do të shndërrohet në organizatë joqeveritare.
Ligji i Punës i Republikës së Kosovës në nenin 16 pika 5, thotë se punëdhënësi në marrëveshje me personin e interesuar mund të angazhojë praktikant pa ndonjë kompensim të pagës dhe të drejtave të tjera nga marrëdhënia e punës, përveç që duhet të ofrojë mbrojtje dhe siguri në vendin e punës sipas ligjit. Punëdhënësi i cili e angazhon praktikantin pa kompensim page, është i obliguar ta evidentojë praktikantin në listën e evidencave pa kompensim page.
Zhduket një grua në Podujevë
Rrahen mes vete shtatë persona në Lipjan, dy përfundojnë në ...
Kina dislokon forca ajrore e detare, pasi SHBA-ja dërgoi një...
U kapën duke kontrabanduar municion nga Serbia,
Mbi 1 mijë e 898 tiketa trafiku të shqiptuara brenda 24 orëv...
Osmani në Kolumbi, ndan thirrje për eliminimin e dhunës ndaj...