Google ADS

Për tri ditë 12 mijë kandidatë për studime në UP

11:58 | 13 Korrik 2015
Arbresh.info

Vetëm në tri ditët e para të konkursit për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës, kanë aplikuar mbi 12 mijë maturantë.

Statistikat e Zyrës së Teknologjisë së Informacionit në Universitetin e Prishtinës, tregojnë se ky Universitet vazhdon të jetë më i preferuari nga maturantët për tu regjistruan në vitin akademik 2015/2016. Drejtori i Zyrës, Isak Shabani, tha për Radio Kosovën, përmes adresës elektronike, se për herë të parë brenda tre ditëve kanë aplikuar mbi 12 mijë kandidatë.

Ndërkohë, numri më i madh i kandidatëve është në Fakultetin e Edukimit, me mbi 1 mijë e 800 maturantë për 460 vende, në Mjekësi kanë aplikuar mbi 1 mijë e 700 maturantë për 335 vende, ndërsa në Ekonomik kanë aplikuar mbi 1 mijë e 500 për 1 mijë e 380 vende.

Prodekani në dorëheqje në Fakultetin e Edukimit, Zeqir Veselaj, tha për Radio Kosovën, se edhe këtë vit sikurse vitin e kaluar, ky fakultet prinë me numrin e madh të kandidatëve për regjistrim.

“Siç edhe është pritur, programi më i kërkuar është programi fillor, ku për 200 vende kanë aplikuar deri tani 851 kandidatë, programi parashkollor për 100 vende kanë aplikuar 286, në pedagogji të përgjithshme për 80 vende janë 167 kandidatë, në programin 0-3 vjeç janë 68 kandidatë për 80, ku ky numër është duke u rritur shumë shpejt.”

Veselaj tha se janë shumë faktorë që e bëjnë Fakultetin e Edukimit më të preferuar nga të rinjtë.

“Një fakt i pamohueshëm që vitet e fundit profesionit të mësimdhënësit i është kthyer dinjiteti, në aspektin e kompensimit material dhe statusit të tyre në shoqëri. Faktori i dytë që ne mendojmë se është rritur interesi, ka qenë mundësia më e hapur në tregun e punës. E treta, është një punë mjaft serioze që po e bëjmë me stafin akademik, aktualisht me studentët e rinj.”

Universiteti i Prishtinës, për vitin akademik 2015/2016 në nivelin e parë të studimeve themelore do të pranojë rreth 7 mijë e 800 studentë, prej të cilëve 7 mijë e 330 të rregullt, kurse 550 studentë me korrespondencë. Gjithashtu, në këtë vit do të ketë provim pranues edhe në fakultetet e shkencave matematikore-natyrore, të cilat vitet e kaluara kanë pranuar studentë pa provim pranues.

Konkursi për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës do të jetë i hapur deri më 16 korrik, ndërsa provimet pranuese do të mbahen më 20 dhe 21 korrik, kurse rezultatet publikohen më 23 të po këtij muaji.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme