Organizatat studentore kërkojnë dorëheqjen e rektorit Marjan Dema

13:00 | 3 Maj 2017
Arbresh.info

Flamuri kombëtar shqiptar është larguar nga salla e mbledhjeve (senatit) në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Në këtë sallë ku pritej që të mbahej një ligjëratë me temën “What Brexit means?” flamuri kombëtar është hequr nga radha e flamujve tjerë.

Lëvizja studentore “Studim, Veprim, Kritikë” ka reaguar sot duke e cilësuar këtë akt mohim të identitetit të popullit të Kosovës.

SKV -ja ka kërkuar nga rektori Marjan Dema që ta bëjë menjëherë dorëheqjen e tij, në mënyrë që të shpëtohet edhe Universiteti, sipas tyre nga ky drejtim i tmerrshëm që ka marrë.

Flamur Pireva nga SKV ka thënë për gazetën se heqja e flamurit kombëtar nga Universiteti “Hasan Prishtina” është veprim ndër më të papranueshmit që ndodhë në institucionet tona, shkruan “Zëri”.

“Turpi dhe llumi i kësaj shoqërie është vënë tashmë në majat e këtyre institucioneve dhe veprimet e tilla nuk na çudisin”, ka thënë ai, raporton Zëri.info.

Pireva ka thënë se këta njerëz që kanë hequr dorë ngaherë nga identiteti kombëtar nuk do të lejohen që ta bëjnë edhe përmes institucioneve.

“Heqja e flamurit kombëtar është mohim i identitet tonë. Ky veprim është edhe i papranueshëm edhe i dënueshëm. Që flamuri kombëtar të jetë në majat e institucioneve tona është kusht i domosdoshëm që njerëzit që janë vënë kundër këtij vullneti të hiqen sa më parë. Ky është një moment i mirë për rektorin Marjan Dema që ta bëjë menjëherë dorëheqjen e tij, në mënyrë që të shpëtohet edhe Universiteti nga krejt kjo kahje e tmerrshme që ka marrë”, ka thënë Pireva për “Zëri”.

Për heqjen e flamurit nga salla e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina“ ka reaguar edhe kryeredaktorja e gazetës “Zëri” Arbana Xharra. “Me këto veprime vetëm sa do të rrisni edhe më shumë aversionin për flamurin e Kosovës. Pse duhet të hiqet flamuri kombëtar, kur aty paska edhe flamuj të tjerë”, ka shkruar Xharra në reagimin e saj, raporton Zëri.info. Ajo ka thënë se vendosja e flamurit kuq e zi, nuk e mohon ekzistencën e flamurit shtetëror të Kosovës. “Këto veprime ju nxjerrin marioneta qesharake e të nënshtruara!”, ka thënë Xharra.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme